Tenderi i këpucëve, thirren në prokurori biznesmenët
Biznesmenët që kanë marrë pjesë në tenderin e “këpucëve” në Ministrinë e Brendshme janë thirrur në Prokurorinë e Tiranës si persona që kanë dijeni për një fakt kriminal. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën, se hetuesit e çështjes kanë prerë disa fletëthirrje për pronarët e shoqërive që morën pjesë në këtë tender, i cili dyshohet se është paracaktuar. I pari që mund të përballet me grupin hetimor është biznesmeni Ilir Sulo, i marrë i pandehur në procesin e parë hetimor nga prokuroria, për të cilën dyshohet se ka bashkëpunuar me disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për të “falsifikuar” fituesit e tenderit të veshmbathjeve për policinë, ushtrinë, tatimet e doganat. Ndërsa pas tij do të thirren biznesmenët që kanë konkurruar për këtë lot. Burime nga organi i akuzës thanë se në pyetje mund të merren edhe zyrtarët e prokurimeve, të cilët dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar disa vepra penale. Megjithatë, grupi hetimor dyshon se hetimet për këtë rast janë në fazën fillestare dhe pasi të vlerësohen të gjitha provat, atëherë do të vendoset nëse këta persona do të merren apo jo të pandehur.
FletëthirrjeBiznesmenët që do të paraqiten në prokurori dyshohet se kanë informacione për paracaktimin e tenderit të këpucëve. Në disa raste ata kanë kryer biseda me njëri-tjetrin për sasinë e të hollave që duhet t’i jepnin Sulos dhe zyrtarëve të prokurimeve në ministri. Për këtë prokurim ishte dhënë një fond me limit rreth gjysmë milion USD. Në fund të tenderit, firma fituese është shpallur ajo e biznesmenit Ilir Sulo. Në këtë tender kanë konkurruar disa firma private dhe gjatë hetimeve, vëzhgimeve, përgjimeve janë zbuluar abuzime nga biznesmenët që kanë marrë pjesë, si dhe nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme. Akuza thotë se provat janë më së shumti përgjimet. Akuza deklaron se në datën 18 shtator 2009, ora 11.34, i pandehuri Ilir Sulo ka telefonuar shtetasin Redi Popesku, i cili ishte mik i përbashkët i tij dhe i Bujar Muratit dhe i ka thënë që ta pyesë një herë Bujarin se çfarë po bëhet për tenderin. Iliri i thotë se Bujari i kishte thënë se do takohen pas një jave dhe se ndërkohë ai nuk po bënte asgjë. Telefonata e dytë është në të njëjtën datë, por në orën 19.03, ku i pandehuri Redi Popesku ka telefonuar Ilir Sulon dhe i ka thënë të hapë internetin se është bërë shpallja e fituesit të tenderit të këpucëve dhe se rezultatet Iliri i ka në rregull “siç ia dha letrën” atij (Bujarit). Dy ditë më pas, në mesditë Ilir Sulo ka telefonuar të pandehurin Redi Popesku dhe ky i fundit i thotë se ai e ka mbyllur ashtu si donte telefonuesi.
HetimetNdërkohë që “pazari” për tenderin e “këpucëve” kishte përfunduar, të pandehurit ishin në ankth për tenderin e veshmbathjeve. Nga përgjimet e akuzës rezulton se pas zhvillimit të tenderit, Ilir Sulo është interesuar në vazhdimësi për arsyet e mosshpalljes së fituesve nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Në bisedën e zhvilluar në datën 16 tetor 2009, Sulo i nervozuar për zvarritjen, i thotë Redi Popeskut se çfarë do bëjë ai miku i tij (Bujari), pasi ai thotë mirë, mirë dhe se u bënë dy muaj që ai u thotë mirë dhe nuk po bën asgjë. Redi i thotë se do ta bisedojë ai këtë punë. Prokuroria deklaron se ka prova për personat e marrë të pandehur, të cilët do të gjykohen në gjendje të lirë, pasi gjykatat e të tria niveleve i kanë rrëzuar të gjitha masat shtrënguese të kërkuara nga prokuroria. Hetuesit e çështjes deklarojnë se për të dy tenderët kanë informacione për abuzime. Për “këpucët” është marrë fillimisht në pyetje shtetasi Edmond Rusmali, i cili ka konkurruar, por firma e tij është skualifikuar. Ndërkohë, pyetja për këtë tender do të vijojë, si dhe do të mblidhen informacione nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
#