Formulë koreane për Kosovën

Zyrtare po mendojne si te arrihet qellimi per anetaresimin e Kosoves ne OKB, permes nje votimi ne asamblene e pergjithshme qe anashkalon Keshillin e Sigurimit
Në qarqet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve është duke u shqyrtuar mundësia që, në aspekt afatgjatë, për njohjen e pavarësisë së Kosovës të shfrytëzohet formula e pranimit të dy Koreve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe pse Rusia ka deklaruar se nuk do të lejojë që një rast i tillë të përsëritet. Agjencitë perëndimore të lajmeve raportojnë se po punohet për një strategji konkrete, në mënyrë që gjysma e shteteve anëtare të KB-së të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe më pas, në Këshillin e Sigurimit të arrihet pajtimi që për pranimin e Kosovës të vendosë Asambleja e Përgjithshme e KB-së. Pikërisht në këtë mënyrë u arrit pranimi i dy Koreve, kur në Këshillin e Sigurimit, në vitin 1991, nuk ishte arritur pajtimi për pranimin e Seulit dhe Penjanit në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ndaj u arrit një marrëveshje që për këtë çështje të vendoste Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Për një vendim të tillë nevojiteshin 2/3 e votave të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, gjë që tani për tani, sipas Brukselit, vështirë se mund të arrihet në një të ardhme të afërt kur bëhet fjalë për Kosovën. Madje, në Bruksel konsiderojnë se kjo mund të zgjasë për vite me radhë. Po kështu, burime mediatike perëndimore bëjnë të ditur se, nëse frenohet njohja masive e Kosovës, është e mundur që shteti i ri të fitojë statusin e “territorit doganor”, që do të mundësonte hyrjen e saj nëpërmjet “derës së vogël” në organizatat ndërkombëtare. Njëkohësisht do të vazhdohet me strategjinë për mbetjen e UNMIK-ut dhe të KFOR-it në Kosovë, por edhe për vendosjen e misionit të EULEX-it, që ka synim të qartë shtrirjen e tij në tërë territorin e Kosovës. Burimet ndërkombëtare nga Brukseli thonë se vendimi i Uashingtonit për të dërguar armë në Kosovë shpjegohet me faktin, se SHBA-të nuk e kanë ndërmend të lëshojnë pe kur bëhet fjalë për matjen e fuqisë dhe të ballafaqimit me interesat e Rusisë. Në takimet e fundit me zyrtarët amerikanë, Moska ka lënë të nënkuptohet se do të ishte e gatshme për një marrëveshje të gjerë, me kusht që Uashingtoni të heqë dorë nga oferta për anëtarësim në NATO për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.