Topalli: Basha i pafajshëm, por t'i hiqet imuniteti
Kryetarja e Kuvendit shpërndan raportin për Bashën. Hodhën poshtë akuzat e Sollakut
Opozita: Raporti, i pranueshëm vetëm në pikën që kërkon heqjen e imunitetit
TIRANË- Megjithëse e konsideron të pafajshëm, mazhoranca i kërkon fillimisht Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imuniteteve dhe më pas Kuvendit të votojë heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha. Kërkesa është pjesë e një raporti që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka propozuar gjatë mbledhjes së djeshme anëtarëve të këtij Këshilli, si produkt i një sërë diskutimesh që kanë zgjatur më shumë se dy muaj. Në raportin në fjalë, i cili nuk përmban mendimin e përfaqësuesve të opozitës, rrëzohen të gjitha akuzat me të cilat ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku shoqëroi kërkesën e tij për heqjen e imunitetit të Bashës, duke i vlerësuar ato si të paargumentuara. Votimi i raportit do të bëhet të hënën që vjen.
Konstatimet
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, të deklarimeve të vetë ministrit Basha dhe dokumentacionit në dispozicion, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në raportin që i propozon Këshillit konstaton se të gjitha pretendimet e shfaqura nga organi i akuzës kundrejt ish-ministrit të Transporteve nuk qëndrojnë. Më konkretisht, mazhoranca e konsideron si tejkalim kompetencash të Kryeprokurorit, përcaktimin si antikushtetues të vendimit të Këshillit të Ministrave. Një tjetër konstatim që bëhet në raportin në fjalë, është edhe ai që përcakton se përzgjedhja e konsulentit "Ecorys Group" është bërë konform ligjit në fuqi dhe brenda normave të prokurimit, ku ajo është përzgjedhur mes 5 kompanish. Në vijim të këtij konstatimi, raporti e konsideron të pavërtetë pretendimin e akuzës për shkaktimin e një dëmi të madh ekonomik, si rrjedhojë e shtimit të kontratës për konsulentin. Gjithashtu i pavërtetë sipas mazhorancës, që mban firmën e Topallit, vlerësohet edhe pretendimi tjetër i organit të akuzës, që përcakton se konsulenti ka qenë i paracaktuar 20 ditë para se të miratohej VKM. Sipas përfaqësuesve të shumicës, vendimi i qeverisë për përzgjedhjen e kompanisë konsulente ka një gabim material në datë. Gjithashtu raporti konsideron si të pavërtetë edhe pretendimin tjetër të prokurorit, i cili në kërkesën e tij dërguar Kuvendit, thekson se shprehja e interesit për këtë vepër është botuar vetëm në gazetën "Financial Times". Sipas raportit, shprehja e interesit është publikuar edhe në gazetën "DG-Market". Ndër të tjera përcaktohet se pretendimet e prokurorit lidhur me ekzistencën e një konflikti të prezumuar interesi, ndërmjet shoqërisë "Ekorys Group" dhe "Parsons Brienkerhoff" nuk janë të argumentuara dhe nuk sqarojnë lidhjen e presupozuar me përgjegjësinë e ministrit Basha. Sipas draftit të hartuar nga kryeparlamentarja çmimet e caktuara nga konsulenti i janë nënshtruar verifikimit të pavarur nga një palë e tretë, gjë që hedh poshtë, sipas tyre, edhe pretendimin e Kryeprokurorit për abuzim me procedurat e tenderuese. Edhe konkluzionet e nxjerra nga ekspertiza tekniko-ekonomike, sipas këtij drafti, janë të pasakta. Në këtë logjik, raporti arrin në përfundimin se edhe pretendimi për shkaktimin e një dëmi në buxhetin e shtetit prej 385 milionë euro është krejtësisht i pabazuar.
Vendimi
Në përfundim të shqyrtimit të këtyre konstatimeve, raporti arrin në përfundimin se, kërkesa e Sollakut për heqjen e imunitetit të Bashës nuk është i argumentuar dhe se mungon dokumentacioni provues i akuzave të bërë prej tij. Kërkesa e drejtuar Kuvendit sipas këtij raporti nuk ka të dhëna, prova që provojnë ekzistencën e elementëve të ndonjë vepre penale. Megjithatë, sipas raportit, pavarësisht mungesës së provave dhe argumenteve të duhura për të vërtetuar akuzat e prokurorisë, mazhoranca, për shkak edhe të angazhimit të saj për të dorëzuar imunitetin, si dhe për shkak të deklarimeve publike të vetë të akuzuarit i propozon Kuvendit që të votojë heqjen e imunitetit të Bashës në mënyrë që t'i hapë rrugë hetimit të mëtejshëm të tij.
Opozita
Opozita do të ketë propozimet e saj, për raportin që do të shoqërojë kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha. Anëtarët opozitarë në Këshillin për Imunitetin, pasi kanë kërkuar gjatë mbledhjes së djeshme garanci nga kryeparlamentarja Topalli për ndikuar tek kryeprokurorja Ina Rama që të zëvendësojë prokurorët, që janë marrë deri më tani me këtë çështje, kanë deklaruar, pasi janë vënë në dijeni me përmbajtjen e raportit, se në ditët në vijim do të bëjnë dhe propozimet e tyre. Deputeti socialist, Petro Koçi, ai i LSI-së, Sabit Brokaj dhe deputetja socialdemokrate, Angjelina Kola kanë deklaruar dje për gazetën se raporti është i pranueshëm vetëm në pikën që kërkon heqjen e imunitetit, por jo në përmbajtjen e tij.
Petro Koçi:
"Mendoj se akuzat e paraqitura nga prokuroria janë serioze, janë të argumentuara nga ana e saj. Kjo është edhe arsyeja që shtetasi në fjalë, që është edhe deputet, duhet të jetë nën procesin e ndjekjes penale. Kjo nuk do të thotë, që ai është automatikisht fajtor pasi nuk mund të cenohet parimi i prezumimit të pafajësisë. Raporti që pretendon për të rrëzuar çdo lloj akuze, unë mendoj se e komprometon mazhorancën dhe kthen e procesin disi qesharak. Gjithsesi, është pozitiv fakti që hiqet imuniteti".
Sabit Brokaj:
"Ne do të paraqesim argumentet e duhura dhe të plota në mbështetje të atij konkluzioni që është ofruar në këtë material, që na është paraqitur gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imuniteteve. Ne nuk mund të jemi formalisht për të hequr imunitetin pa pasur argumentet, siç dhe është në material. Ne nuk luajmë. Kemi argumentet, ndaj dhe e kërkojmë propozimin në Parlament. Për këtë arsye, ne do të sjellim argumente nëpërmjet propozimeve tona, të cilat, natyrisht, në mbledhjen tjetër të Këshillit do t'i bëjmë dhe publike".
Pikat kryesore të raportit sipas mazhorancës:
Tejkalim kompetencash të Kryeprokurorit, për përcaktimin si antikushtetuese të vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Përzgjedhja e konsulentit "Ecorys Group" është bërë konform ligjit në fuqi dhe brenda normave të prokurimit, ku ajo është përzgjedhur mes 5 kompanish.
I pavërtetë pretendimi i organit të akuzës, që përcakton se konsulenti ka qenë i paracaktuar 20 ditë para se të miratohej VKM. Vendimi i qeverisë për përzgjedhjen e kompanisë konsulente, ka një gabim material në datë.
I pavërtetë edhe pretendimi i prokurorit, ku thekson se shprehja e interesit për këtë vepër është botuar vetëm në gazetën "Financial Times". Shprehja e interesit është publikuar edhe në gazetën "DG-Market".
Pretendimet e prokurorit lidhur me ekzistencën e një konflikti të prezumuar interesi, ndërmjet shoqërisë "Ekorys Group" dhe "Parsons Brienkerhoff", nuk janë të argumentuara dhe nuk sqarojnë lidhjen e presupozuar me përgjegjësinë e ministrit Basha. Çmimet e caktuara nga konsulenti i janë nënshtruar verifikimit të pavarur nga një palë e tretë.