E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi u krye, medikamentet nuk shpërndahen në QSUT



QSUT-ja vazhdon të ketë mungesë të medikamenteve në të gjitha pavijonet e kësaj qendre. Edhe pse tenderi për medikamentet është kryer rreth një muaj më parë, mungesat vazhdojnë të jenë të dukshme dhe problematike, si për mjekët, ashtu dhe për pacientët. Këta të fundit detyrohen t’i blejnë vetë barnat për të marrë mjekimin e nevojshëm. QSUT-ja prej kohësh të ofron vetëm mjekun, pasi gjithçka tjetër duhet të zgjidhet nga pacientët. Mjekët sqarojnë se ende nuk është bërë shpërndarja e barnave të tenderuara, pasi nuk është bërë ende zhbllokimi i tenderit dhe shpërndarja nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të përsërisë kryerjen e tenderave për medikamentet, të cilat mbetën jashtë listës së financimeve nga firmat farmaceutike për këtë vit. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqaruan se pritet që së shpejti të kryhen përsëri prokurimet për 61 medikamente. Ende nuk është vendosur një afat kohor përfundimtar, por kjo ministri është e vendosur që të plotësojë nevojat e spitaleve me medikamente. Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë bëri tenderimin e 104 medikamenteve, ndërkohë që nevojat janë për 183 medikamente. Situata paraqitet tepër emergjente dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e autoriteteve për të shmangur krijimin e një kaosi tjetër në spitalet e vendit, kryesisht në QSUT. Aty ku mungesat u evidentuan më tepër se kudo dhe ishte e domosdoshme që kryerja e tenderave të bëhej më shpejt, pasi kohët e fundit mbaruan edhe medikamentet që ishin rezervuar për rastet e emergjencave. Aktualisht Ministria po negocion për rihapjen e tenderave për 61 medikamentet që do të nxirrnin nga situata spitalet. Në të kundërt pritet që edhe këtë vit situata të jetë e pandryshueshme dhe shëndetësia do të zhytej në probleme edhe më të thella, çka do të ishte e vështirë për ta kapërcyer lehtë situatën.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›