Spitali Ushtarak, në një ditë mbërrijnë 100 të aksidentuar
Emanuela Sako
Aksidentet rrugore kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit.
Në të gjithë vendin, spitali që pret më tepër të aksidentuar në një ditë rezulton të jetë Spitali Ushtarak. Sipas statistikave zyrtare, numri i të aksidentuarve arrin edhe 100 persona në ditë, që drejtohen në Qendrën e Traumës në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, të aksidentuarit vijnë në çdo orë të ditës dhe natës. Një numër i madh aksidentesh shkaktohen edhe nga konsumimi i alkoolit dhe për këtë mjekët shprehen se ardhja e emigrantëve dhe festat e shumta gjatë verës bëjnë që të konsumohet më tepër alkool. Madje, për shumicën e qytetarëve festa apo dasmat janë kthyer në mort, pasi kanë konsumuar alkool i kanë dhënë automjetit në gjendje të dehur. Një problem tjetër është se autoambulancat nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e pajisjes me materialet e domosdoshme dhe për fat të keq qytetarëve nuk u jepet dot ndihma e parë mjekësorë në kohën e duhur.
Shërbimi
Të parat që vijnë në ndihmë në rastet e aksidenteve janë mjekët me autoambulancat. Por, shpeshherë mjekët ankohen pasi autoambulancat nuk janë të pajisura me të gjitha mjetet mjekësore brenda dhe kjo bëhet shkak për të vënë në rrezik jetën e pacientëve. Një problem tjetër është edhe mungesa e korsive në rrugë për kalimin e automjeteve në rastet e emergjencave. Ambulancave u duhet të presin në trafik me sinjalet ndezur për të çuar pacientin në spital. Një situatë e tillë është tepër problematike për jetën e pacientit. Nga statistikat e kryera, muaji gusht rezulton se ka pasur numrin më të madh të aksidenteve rrugore. Në spitale janë drejtuar çdo ditë mesatarisht rreth 100 pacientë, ku numri më i lartë kanë qenë aksidentet rrugore. Nga kjo shifër nuk përjashtohen aksidentet në punë apo edhe ato që ndodhin në ambiente të shtëpisë. Ndërsa në muajin qershor, në këtë qendër janë paraqitur çdo ditë rreth 60 pacientë të aksidentuar rëndë. Rreth 50 prej tyre janë të shkaktuara nga aksidentet rrugore dhe pjesa tjetër nga aksidentet në punë, apo aksidente të ndryshme.
Shkaqet
Një pjesë e aksidenteve të ndodhura janë me pasojë vdekjen. Aksidentet rrugore shkaktohen nga shpejtësia nën normat e lejuara, nga moszbatimi i rregullave të qarkullimit, nga mungesa e sinjalistikës në disa rrugë, si dhe nga infrastruktura e rënduar në disa pjesë të rrugëve. Ndërsa një pjesë e madhe e tyre shkaktohen nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin në orët e vona të natës dhe vijnë nga konsumimi i alkoolit dhe shpejtësia nën normat e lejuara. Shumica e aksidenteve rrugore shkaktohen gjatë sezonit të verës, ku shtohet fluksi i ardhjes së emigrantëve, si pasojë shtohet qarkullimi në rrugë dhe ecja e tyre më shpejtësi.
Aksidentet
Fluksi i emigrantëve që vijnë gjatë sezonit të verës, bëhet shkak për shtimin e numrit të aksidenteve në rrugë. Gjithashtu emigrantët zënë vendin e parë edhe për numrin e të aksidentuarve në vend gjatë këtij sezoni veror. Kjo vjen për shkak të pakujdesisë së tyre dhe moszbatimit të rregullave të qarkullimit. Sipas një raporti, emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Itali janë shkaktarët kryesorë krahasuar me emigrantët që jetojnë në Greqi. Kjo vjen për faktin se emigrantët e ardhur nga Italia ecin më tepër me shpejtësi se ata të ardhur nga shteti grek.
Pakësohen vizitat në Poliklinikë, shkak bëhet rikonstruksioni
Vizitat në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 duket se janë pakësuar pas punimeve që po kryhen në ambientet e saj për të rikonstruktuar godinën. Pacientët shprehen se e kanë më të lehtë të shkojnë në ndonjë klinikë tjetër sesa në këtë godinë, pasi dhomat e vizitave janë ndërruar dhe punohet në kushte të vështira. Por mjekët pohojnë se kjo ndodh vetëm tek ata pacientë që nuk janë të lagjes që përfshin klinika, pasi pacientët e lagjes vijnë për çdo rast në klinikë. Punimet për rikonstruksionin e klinikës kanë filluar një vit më parë dhe tashmë janë drejt përfundimit. Gjithçka u bë në bazë të projektit të Ministrisë së Shëndetësisë për krijimin e kushteve normale në të gjitha klinikat dhe pajisjen e tyre me mobilie të reja. Klinika e Specialiteteve Nr. 3 ishte në gjendje të keqe për shkak të amortizimit të tavaneve, korridoreve apo materialeve të ndryshme.
Mungesa e gjakut, thellohen problemet për pacientët
Situata në spitale është tepër e vështirë dhe emergjente përsa i përket furnizimit me gjak. Më së shumti këtë e vuajnë pacientët që kanë sëmundje të cilat kërkojnë furnizimin e vazhdueshëm të trupit me gjak. Talasemikët janë një nga kategoritë e pacientëve që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut një herë në tre javë. Me gjithë kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës së Transfuzionit të gjakut për sensibilizimin e qytetarëve për të dhuruar gjak, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Mjekët thonë se pacientët po kurohen me doza tepër të ulëta, por e kanë të nevojshme furnizimin e herëpashershëm me gjak. Rezervat e spitaleve kanë shkuar në fund dhe nuk ka asnjë mundësi furnizimi për plotësimin e nevojave. Ndërkohë që autoritet shëndetësore theksojnë se numri i dhuruesve është tepër i ulët dhe i pamundur për të plotësuar të gjitha nevojat. Askush nuk di të japë një përgjigje për zgjidhjen e kësaj situate që duket se do të vazhdojë për shumë kohë. Ndërkohë që autoritetet shëndetësore po japin alarmin për plotësimin e bankinave me gjak dhe importimin e menjëhershëm të dozave të nevojshme.
2 Shtator 2008