E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në taborin holandez

Pak ditë para ndeshjes së rëndësishme çerekfinale ndaj Brazilit, në taborin e përfaqësueses holandeze kanë filluar tensionet. Jo për faktin se do të përballen me kampionin e pesëfishtë të botës, por për shkak të një zëvendësimi të Van Persiet në pjesën e dytë të ndeshjes me Sllovakinë në të tetën e finales.

Sulmuesi i Arsenalit nuk e ka pritur mirë zëvendësimin nga Huntelaar, duke i thënë selektorit Bert van Marwijk se do të duhej ta zëvendësonte mesfushorin Wesley Sneijder.

Van Persie nuk është ndalur me kaq: ai nuk ka festuar fare me shokët e tij në golin e dytë të “Tulipanëve”, të cilin e realizoi Sneijder, duke mbetur i palëvizshëm në bankinë.

Pas ndeshjes, selektori holandez e ka ftuar skuadrën për t’u sqaruar. Por, Sneijder dhe Van Persie nuk e kanë folur asnjë fjalë, duke konfirmuar se nuk kanë marrëdhënie të mira.

“Kam biseduar me Sneijder dhe me Van Persie, e më pas edhe me pjesën tjetër të skuadrës. Nuk dëshiroj të kemi probleme të tilla. Çdokush mund ta shfaqë opinionin e tij, por nuk dua probleme në skuadrën time. Çështja Van Persie është mbyllur”, ka thënë Van Marwijk.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›