E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensionet ndëretnike në Maqedoni, Presidenti Ivanov, thirrje për qetësi

Presidenti Gjorgje Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kërkoi nga qytetarët e vendit, pa dallim etnie, të kundërshtojnë pjesëmarrjen në aksionet e dhunshme dhe të jenë miqësorë me njëri-tjetrin. Ivanov paralajmëroi se të gjithë ata që përmes dhunës dëshirojnë të cenojnë bashkëjetesën në Maqedoni, do të dënohen. Në shoqërinë tonë nuk ka më vend për nxitje të përleshjeve etnike. Të gjithë e  kujtojmë me dhimbje shijen e hidhur të konflikteve më shumë se një dekadë më parë. Për fat të keq, këto ditë vazhdojnë përpjekjet që të provokohet mungesë tolerance, tha ai në fjalimin e tij. Një tjetër incident ndodhi të martën në Maqedoni. Persona të maskuar me armë zjarri kanë plagosur rëndë mbrëmjen e së martës pronarin e një pike këmbimi, nga fshati Rashçe i Shkupit. 31-vjeçari u nda dje nga jeta. Ndërsa për gjashtë personat e maskuar që janë larguar nga vendi i ngjarjes, nuk janë dhënë detaje. Në një tjetër incident, një autobus u godit me gurë në fshatin Velesht, Strugë. Sipas Policisë maqedonase, grupi që sulmoi ishte i etnisë shqiptare, por thyen vetëm xhamat e autobusit, nuk pati të lënduar. Shqiptarët reaguan pas një sërë incidentesh kundër tyre nga maqedonasit. Më 28 shkurt, dy të rinj shqiptarë u vranë nga një polic maqedonas, pas një debati për parkimin. Shqiptarët nisën protestat paqësore në rrugët e Gostivarit dhe Shkupit. Pas kësaj, një grup prej mbi 30 të rinjsh maqedonas sulmuan një autobus linje me të cilin udhëtonin shqiptarë të Maqedonisë, duke rrahur brutalisht me shufra hekuri 15 nxënës, të cilët përfunduan në spital në gjendje të rëndë. Provokimet e radhës u bënë me video në internet, ku digjej flamuri shqiptar dhe kërkohej bashkimi i të krishterëve për vrasjen e shqiptarëve. Menduh Thaçi, kryetari i partisë shqiptare në Maqedoni në opozitë, tha se probleme etnike nuk mund të parandalohen me apele, por veprime të institucioneve. Ai theksoi se incidentet ndëretnike janë rezultat i kultivimit të një klime nacionaliste të qeverisë së Maqedonisë, ku merr pjesë edhe partia shqiptare, BDI. Përkulja totale e palejueshme e z. Ahmeti ka të bëjë me qasjen shtetërore antishqiptare. Këto gjëra nuk ndalen me apele, por ndalen me veprim të drejtpërdrejtë institucional, tha Menduh Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›