Zvicër, humbin jetën 22 fëmijë e 6 të rritur belgë

Autobusi pas aksidentit
Një përplasje fatale e një autobusi me një mur betoni në një tunel në autostradën e Zvicrës, shkaktoi vdekjen e 22 fëmijëve dhe gjashtë të rriturve. Pjesa e përparme e autobusit ishte pothuajse e gjitha e copëtuar. Sipas Policisë zvicerane, shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e lartë e autobusit në nënkalimin e autostradës A9 afër Sierrës, Valais, në kufi me Italinë. Me të po udhëtonin nxënës shkolle, 12-vjeçarë dhe mësuesit e tyre nga dy shkolla në Belgjikë. Sipas deklaratave të hetuesve për të përditshmen belge, Le Soir, autobusi ka qenë duke udhëtuar me një shpejtësi shumë më të lartë sesa norma e lejuar, prej 100 km në orë, në atë pjesë të rrugës. Dhjetëra udhëtarë të tjerë u plagosën, përfshirë edhe fëmijët që i mbijetuan aksidentit. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e së martës, kur një grup prej 52 nxënësish e mësuesish po ktheheshin nga një ekskursion skish në Alpe, në qendrën Val dAnniviers për në shtëpitë e tyre, në fshatrat Lomel dhe Heverli të Belgjikës.