Zgjedhjet, Thaçi: Serbia po provokon konflikt me Kosovën

Hashim Thaçi
Serbët të pavendosur, BE: Jo votimit në Kosovë, shkel marrëveshjet.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar vendimin e Serbisë për të mbajtur zgjedhje në Republikën e Kosovës si një veprim që provokon konflikt dhe mund të ketë pasoja në rajon. Të vetmet zgjedhje lokale do të organizohen nga institucionet e vendit tonë dhe assesi nga ndonjë vend fqinj. Serbia është duke provokuar një konflikt të hapur me shtetin e Kosovës, që mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin dhe angazhimet ndërkombëtare në rajon, tha Thaçi. Franca, Gjermania e Britania i kanë cilësuar të paligjshme zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Zëdhënësja e Katerin Ashtonit, nënkryetares së Komisionit Europian, Maja Kocijançic, tha se shpallja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe kryetari i PE-së, Martin Shulz, e cilësoi vendimin e Beogradit për shpalljen e zgjedhjeve në Kosovë në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel. Gjatë takimit në Strasburg me kreun e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Shulz tha se PE-ja vazhdon të mbajë lidhje të afërta me Kuvendin e Kosovës dhe se do të vazhdojë ta mbështesë atë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se institucionet e Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar do të marrin masat e duhura për të ndalur zhvillimin e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës, pasi janë të paligjshme edhe në bazë të rezolutës 1244. Ndërsa sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, pas reagimit ndërkombëtar ka pohuar se vetëm pas mendimit të UNMIK-ut do të vendoset mbi zgjedhjet në Kosovë. Sipas tij, ky organ do të përcaktojë nëse janë apo jo zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale serbe në Kosovë në pajtim me rezolutën 1244. Predrag Gërgiç, kryetar i Komisionit Zgjedhor Republikan në Serbi, tha dje se nuk është dhënë ende asnjë autorizim nga qeveria e Serbisë për organizim të zgjedhjeve lokale në Kosovë. I ashtuquajturi Këshill Nacional Serb në veri të Kosovës ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë përpjekje, që zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë.
Reagimi i MPJ-së
Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i papranueshëm, pasi cenon integritetin e një vendi fqinj sovran. I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin, është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cenojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës, thuhet në reagim.