Çelsi mund Fulhamin nën sytë e Murinjos
Autori i Lajmit: RedaksiaAngli - Çelsi do të mbyllë vitin 2009 në krye të klasifikimit. Tre pikët e marra dje me shumë mund nga skuadra e Çelsit sigurojnë kreun e klasifikimit. Djemtë e Karlo Ançelotit morën dje fitoren e dytë në gjashtë ndeshjet e fundit duke lënë pas një krizë të vogël. Nuk ishte aspak e lehtë për “blutë” e Londrës që të fitonin derbin me ekipin e Fulhamit (i drejtuar nga Roy Hodgson). Nën vëzhgimin e José Murinjos (kishte shkuar në Stamford Bridge për të parë nga afër rivalët e Ligës së Kampionëve) Çelsi zhvilloi një ndeshje me shumë ritëm përballë Fulhamit. Për rreth 70 minuta ekipi i Ançelotit qëndroi në dizavantazh të një goli: miqtë realizuan një gol mjaft të bukur. Konchesky iku nga e majta dhe harkoi sferën që u prek nga Zamora dhe më pas u dërgua në rrjetë nga Zoltan Gera. Në këtë aksion portieri i Çelsit ishte paksa fajtor, pasi doli para kohe nga katërkëndëshi i tij. Pas pësimit të golit të parë Çelsi vuajti paksa dhe nuk arriti që të kundërpërgjigjej menjëherë. Lojtari më i rrezikshëm për vendasit ishte Drogba: sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ishte lojtari më i mirë në fushë. pas kësaj fitoreje Çelsi i largohet Mançeter Unitedit (sot pret në shtëpi Vigan) +5 pikë. Ançeloti në takimin e djeshëm kishte ndryshuar rrënjësisht mbrojtjen e “bluve” në krahasim më atë që luajti ndeshjen e fundit. Në prapavijë vetëm Terri u rikonfirmua ndërsa Ferreira (nuk bëri një ndeshje të mirë) dhe Zhirkov (zhvilloi një takim të mirë) mbuluan mirë krahët: Rikardo Karvalho zuri vendin në qendër të mbrojtjes. Në sulm luajtën Drogba e Kalou(të dy këta lojtarë zhvilluan takimin e fundit pasi në janar do të zhvillojnë me kombëtaren e tyre Kupën e Afrikës). Pas dyshes së sulmit ndodhej Joe Cole, Obi Mikel, Ballack dhe Lampard. Edhe pse Drogba rrezikoi disa herë Çelsi nuk realizoi pasi portieri kundërshtar Schvarzer bllokoi çdo gjuatje. Në minutën e 70 Ançeloti u gjend në vështirësi, pasi ekipi i tij nuk kishte shënuar ende dhe u detyrua që të aktivizonte një sulmues të tretë: Sturridge (i zuri vendin Mikelit). Më pas goli i barazimit nuk vonoi shumë: Ivanoviç (mori vendin e Ferreiras) harkoi sferën nga djathta: në shtyllën e dytë ndodhej Drogba. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë nuk gaboi nga dy hapa dhe solli qetësinë në kampion blu. Pas pak minutave ishte i sapoaktivizuari Sturridge që gjuan drejt portës kundërshtare, por portieri Schavrcer pret mjaft mirë, por sfera del jashtë kontrollit duke u përplasur kështu në këmbët e debutantit Smelling. Ky i fundit dërgon sferën në rrjetën e tij dhe i jep Çelsit tre pikët. Totenhemi ka mundur Uest Hemin 2-0 në derbin e Londrës që ka hapur javën e 20-të të Premier League. Golat janë shënuar nga Modric në minutën e 11-të dhe nga Defoe në të 81-tën. Me këtë sukses Totenhemi ngjitet në kuotën e 37 pikëve në vendin e katërt të klasifikimit, duke kaluar për momentin Aston Vilën. Ndërkohë që Uest Hemi mbetet në vendin e katërt nga fundi me 18 pikë. Në zonat e ulëta situata është mjaft e çuditshme. Nga vendi i dhjetë (Sanderlendi) e deri tek vendi i parafundit (Hull City) ndodhen 9 skuadra të ndara nga vetëm 6 pikë. Vetëm ekipi i Portsmouthit është i distancuar në vendin e fundit. Pikërisht Sanderlendit nuk i mjaftuan dy golat e Darren Bent (13 gola të realizuar deri më tani) që të merrte tre pikë në fushën e Blekburnit (Pedersen dhe Diouf barazuan vendasit). Drejt fundit është duke shkuar edhe Stoke City( u mund në shtëpi nga Birminghami). Ndërsa Evertoni rigjen fitoren. Tre pikët e fundit “blutë” i kishin marrë që në shtatorin e kaluar. Vaughan e Pienaar ndëshkuan dy herë Burnlein.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009