Çian Çini humb fuqinë, sorganizon dot as mbrëmjet shqiptare
Autori i Lajmit: Androkli DraloHong-Kong, 29 tetor 1967 – Komiteti i posaçëm i Pekinit, i ngritur për të menaxhuar Revolucionin Kulturor të Mao Ce Dunit, me sa duket, është shpërbërë nga përjashtimet dhe uljet në detyrë, duke treguar akoma më shumë se lëvizja ambicioze e udhëheqësve komunistë për të pastruar Kinën e ka humbur vrullin e saj. I krijuar për herë të parë vitin e shkuar me 13 komunistë të vjetër, me në krye gruan e Maos, Çian Çin, tashmë komiteti përbëhet vetëm nga 6 anëtarë si rezultat i spastrimeve. Në të njëjtën kohë, sipas njoftimeve zyrtare të Pekinit, këtij grupi i janë hequr dhe shumë funksione të parëndësishme, si për shembull, organizimi i mbrëmjeve çlodhëse për shqiptarët dhe delegacionet e tjera të huaja që vizitojnë kryeqytetin kinez. Analistët këtu në Hong-Kong sugjerojnë se kjo rënie dramatike e fuqisë së komitetit – që dikur për nga fuqia ishte virtualisht një paralele e qeverisë – ka ardhur kryesisht për shkak të presionit të ushtrisë, e cila tashmë kontrollon shumicën e vendit. Të dhënat tregojnë se ndoshta oficerët kryesorë, në radhë me udhëheqësit e moderuar civilë si kryeministri Çu En Lai, janë përpjekur të mbajnë nën fre autoritetin e grupeve të Revolucionit Kulturor gjatë një serie takimesh të nivelit të lartë të mbajtura në Pekin në gusht dhe fillim të shtatorit. Këta oficerë, besohet se pjesërisht ishin të motivuar nga frika se dhuna e përhapur, një pjesë e mirë e së cilës e stimuluar nga Çian Çini dhe shokët e saj do të dobësonte vendin, veçanërisht në një kohë kur sulmet amerikane me bomba në Vietnamin Verior po i afroheshin gjithnjë e më tepër kufirit kinez. Ushtria ishte nxitur gjithashtu për të mbrojtur veten nga një spastrim i mundshëm i ekstremistëve të Maos, i cili në fund të muajit korrik nisi një fushatë kundër drejtuesve të ushtrisë, me akuzat se këta po shfaqnin tendenca “borgjeze”. Kërcënimi i ekstremistëve ndaj ushtrisë u pasua nga një incident në Vuhan, kryeqendrën e provincës qendrore të Hupeit, në të cilën zëvendëskryeministri, Hsieh Fu Çih dhe shefi i propagandës kombëtare, Van Li, një ekspert i spikatur maoist, u rrëmbyen dhe rrahën nga disidentët lokalë të mbështetur nga komandanti i zonës, gjenerali Çen Sai Tao.
Kritikë e ashpër
Pas këtij incidenti, Vang Li, si botues i gazetës zyrtare “Peoples Daily” dhe një zëdhënës kryesor i Komitetit të Revolucionit Kulturor, njoftohet se ka qenë shumë i ashpër në kritikat drejtuar ushtrisë. Sipas burimeve të informuara, ai kërkoi një dënim të ashpër ndaj gjeneralit Çen dhe fajësoi oficerë veteranë të tillë si marshallët Hsu Hsiang Çen dhe Nieh Jung Çen se fshiheshin mbrapa veprimeve të disidentëve të Vuhanit. Rezultatet e përpjekjeve të Vangut, sidoqoftë u kanë lënë të kuptojnë ekspertëve këtu se si piketat u kthyen qartazi nga ushtria kundër Komitetit të Revolucionit Kulturor. Edhe pse i liruar nga komanda e Vuhanit, gjenerali kryengritës Çen, nuk ishte kurrë objekt i fushatës së propagandës. Vendndodhja e tij aktuale nuk dihet. Marshallët Hsu Sian Çen dhe Nieh Jung Çen, shënjestrat e tjera të sulmeve të Vangut, janë shfaqur dukshëm kohët e fundit në Pekin. Në dallim, Vangu jo vetëm që është zhdukur nga daljet në publik, por posterat e fundit në muret e kryeqytetit kinez tregojnë se e kanë akuzuar atë gjithashtu me krime që variojnë prej shërbimit të tij si agjent i Çan Kai Shisë dhe si komplotues për të rrëzuar Maon nga pushteti e deri si një aktor mbrapa një organizate të akuzuar për fshehje të tendencave të saj borgjeze “ultramajtiste”. Së bashku me Vangun, anëtarët e tjerë të Revolucionit Kulturor, të cilët, me sa duket, janë përjashtuar kohët e fundit, janë Kuo Fen, Mu Hsin dhe Hsieh Tang Çung. Kuo Fen u përmend për herë të fundit më 22 gusht, kur korrespondentët japonezë në Pekin lajmëruan se ai ishte dërguar në Anshanin Verilindor, qendër e industrisë kineze të çelikut, për të ndalur luftën mes fraksioneve rivale punëtore dhe Rojeve të Kuqe. Një komisar politik ushtrie, Hsieh Tang Çung, nuk është parë që prej muajit maj, ndërsa Mu Hsini, i cili është numri 2 i Shoqatës Gjithëpërfshirëse të Gazetarëve Kinezë, është shfaqur për herë të fundit në publik më 18 qershor. Në fund të vitit të shkuar, katër anëtarë të tjerë të Komitetit të Revolucionit Kulturor, u përjashtuan, përshirë dhe Tao Çunë, ish-shefin e propagandës kombëtare dhe Liu Çih Çien, një zëvendësdrejtor i departamentit politik të ushtrisë. “Eliminimi i tyre, - raportojnë gazetarët këtu në Hong-Kong, - ka shumë mundësi që të jetë kurdisur nga brenda komitetit nga Çian Çini dhe maoistët në përpjekje për të përqendruar fuqinë në duart e tyre”. Spastrimi më i fundit i Vang Lisë dhe të tjerëve, sidoqoftë, duket se ka ardhur për shkak të presionit të jashtëm.
Sulmohen majtistët
Një tregues se lëvizja e tanishme kundër grupit të Revolucionit Kulturor po udhëhiqet nga të moderuarit është parë nga vëzhguesit këtu në Kinë në përmendjet e supozuara të një sulmi “majtist” kundër kryeministrit Çu En Lai. Një njoftim i shaptilografuar lëshuar në Kanton muajin e kaluar, e përmendte Mu Hsinin si pjesë e kësaj opozite. Në një fjalim jopublik të mbajtur në 5 shtator, Çian Çini paralajmëroi gjithashtu kundër kundërshtarëve majtistë të Çusë. Ai fjalim, në të cilin ajo nxiti Rojet e Kuqe që të vepronin vetë, përbëhej nga një ndryshim radikal i pozicionimit të Çian Çinit, qysh prej herës kur kishte nxitur të rinjtë për të përdorur dhunë. Informacionet më të fundit nga burime të besueshme tregojnë se ajo mund të jetë detyruar, ose të paktën të jetë bindur me forcë, që të ndryshojë linjën e saj. Ndërsa shanset e saj për tu spastruar nga ky pozicion, për sa kohë Maoja të jetë gjallë, duken të vogla. Analistët vërejnë nga studimi i shtypit të Pekinit se ylli Çian Çin duket se po venitet. Ajo nuk ka mbajtur asnjë fjalim të madh tashmë pothuajse prej dy muajsh. Për më tepër emri i saj tani përmendet më pak në shkrimet e “Peoples Daily”. Në të vërtetë, përmendja e Komitetit të Revolucionit Kulturor si një instrument autoriteti, është zëvendësuar nga përmendjet e përsëritura të ushtrisë si mbështetja kryesore e vendit.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2010