E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat e gjetur në Dajt, Prokuroria urdhëron verifikimin

Autori i Lajmit: Redaksia
Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Mjekësisë Ligjore fillimin e ekzaminimit të eshtrave të gjetura javën që shkoi në Malin e Dajtit.
Burime zyrtare të Mjekësisë Ligjore në kryeqytet, konfirmojnë se pas plotësimit të formave të skeletëve, të cilët u zhvarrosen në mënyrë jo profesionale do tu behen analizat antropologjike, kriminalistike si dhe analiza të AND-së për identifikimin e personave të cilëve u përkasin eshtrat.
Besim Ymeraj drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka sqaruar se në morg është ngritur e gjithë infrastruktura e duhur për ti hetuar dhe identifikuar skeletet e dorëzuara. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndodhet e instaluar edhe aparatura për analizimin e ADN-ve, e cila pritet të jetë kyçi që do të zgjidhë enigmat e identiteteve të skeleteve të gjetura në malin e Dajtit. Veprimet e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore pritet të kryhen bashkë me ato të oficerëve të policisë gjyqësore do të saktësojnë nëse skeletet janë të personave të pushkatuar nga komunizmi prej vitit 1975 apo të personave të të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990, kur qytetarë të shumtë synonin të hynin nga ambasadat e huaja në Tiranë për të shpëtuar nga regjimi komunist. Pikërisht mungesa e prangave, zinxhirëve dhe mjeteve të tjera “lidhëse” në një pjesë të madhe të skeleteve të gjetura, ka ngjallur dyshime që mes tyre të ketë edhe të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990. Sipas ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, në këtë fazë bashkëpunimi me personat që pretendojnë se eshtrat u përkasin të afërmve të tyre, është esencial pasi do të merren mostrat e AND-së për krahasimin e mbetjeve.
Reagimi i ish-të përndjekurve
Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni deklaron se numri i atyre që u pushkatuan pa gjyq, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur akoma është katër mijë. Sipas policisë së Tiranës, në zonën e Dajtit, në një territor që i përket komunës Qerret ditët e fundit persona që pretendojnë se të afërmit e tyre janë pushkatuar gjatë regjimit komunist kanë gjetur eshtrat e rreth 19 personave.
Në vendin ku janë gjetur eshtrat, mësohet se janë gjetur edhe gëzhoja armësh, ndërsa mbetjet njerëzore ishin groposur në thellësi deri 3 metra.

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›