Tensioni në Veri, Jahjaga mbledh krerët e sigurisë

Ahtifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbledhur dje krerët e mekanizmave të sigurisë pas tensioneve të krijuara nga vrasja e një shqiptari në veri të Mitrovicës. Presidentja u takua me ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, si dhe me drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj. Ajo kishte në axhendë edhe takime me drejtues të EULEX-it dhe KFOR-it. Çështja e Mitrovicës është diskutuar edhe një Nju Jork, ku Kryeministri Hashim Thaçi ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun. Thaçi e ka falënderuar kreun e OKB-së për refuzimin që kjo organizatë i bëri Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Kryeministri kosovar ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale bie ndesh me rezolutën 1244, si dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës. Thaçi ka diskutuar mbi tensionet e regjistruara së fundmi në veri të Kosovës.
Përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, e cilësoi tronditëse vrasjen e Selver Haradinajt në Mitrovicë edhe për faktorin ndërkombëtar. Ai u ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë maturi dhe të ruajnë gjakftohtësinë. Çështja e Veriut duhet të zgjidhet përbrenda Kosovës, midis pushtetit vendor dhe qytetarëve që jetojnë atje, tha Zhbogar.
Ndërkohë, krerët e delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan dhe Jelko Kaçin i kanë kërkuar Beogradit lirimin e sindikalistit kosovar Hasan Abazi, i cili u arrestua më 28 mars. Sipas REL, në letrën drejtuar Kryeministrit serb, Mirko Çvetkoviç, Kukan dhe Kaçin nënvizojnë se Abazi në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim dhe nuk i është lejuar të takohet as me avokatin e as me anëtarët e familjes së tij.
Ambasadori shqiptar
Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, i drejtoi një mesazh ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, që kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe të mos tentojë të luajë me ta, pasi Shqipëria e ka njohur dhe e njeh kufirin e vendosur në Koshare, siç njeh atë në Jarinë dhe Bërnjak. Lauka e bëri këtë deklaratë gjatë përkujtimit të rënies së heroit Agim Ramadani.
Kurti, letër NATO-s
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar dje një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmusen dhe komandantit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneral Erhard Dreus. KFOR-i është akoma përgjegjës për ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës. Prandaj, me anë të kësaj letre ju kërkoj që të merrni masa të menjëhershme për ti vendosur forcat e KFOR-it që të parandalohen incidentet e mëtejshme që mund të ndodhin në Mitrovicë. Është jetike të veprohet tani, thuhet në letrën e Kurtit.