Donte të qëllonte gruan, i merr jetën policit rrugor
Xhelozia ka shtyrë një 57-vjeçar nga fshati Bestrovë i Vlorës të qëllojë me çifte në drejtim të bashkëshortes së tij, por ndërsa gruaja është shmangur duke vrapuar, saçmat i kanë marrë jetën kushëririt të saj, Sotir Kordha, punonjës i policisë rrugore. Burime të policisë së Vlorës bënë të ditur se dje pasdite, 57-vjeçari Besnik Driza ka ndjekur me çifte në dorë gruan e tij, derisa ajo ka hyrë në shtëpinë e hallës së saj për t‘u fshehur. Në shtëpi ndodhej Sotir Kordha, djali i hallës së saj, i cili ka vrapuar të dalë nga shtëpia, për të ndaluar burrin e kushërirës. Por, Driza nuk ka parë se kush po e hapte derën dhe ka qëlluar me çifte duke e qëlluar në zemër 53-vjeçarin Sotir Kordha. Pasi ka parë viktimën në tokë, Besnik Driza është larguar nga vendngjarja për t‘i shpëtuar policisë, ndërsa të afërm të tjerë kanë shoqëruar 53-vjeçarin Kordha për në spital, ku ai ka mbërritur i vdekur. Policia, e mbërritur në vendngjarje pak minuta pas krimit është vënë në ndjekje të autorit të identifikuar të vrasjes, i cili është kapur një orë më pas, në afërsi të fshatit Cakran të Fierit. Besnik Driza ishte larguar me një makinë deri në kufi të fshatit dhe më pas ka nisur të ecë në këmbë në drejtim të Fierit, ndërsa makina që e shoqëroi ka marrë tjetër drejtim. Ai është transportuar menjëherë për në Komisariatin e Vlorës, ndërsa me vete i është gjetur edhe arma e krimit, një çifte gjahu që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Autori i krimit ka sqaruar në polici se kishte pasur për qëllim të vriste gruan dhe se kishte kujtuar se ishte ajo që hapi derën në shtëpinë e hallës dhe jo Sotir Kordha, efektiv policie, baba i dy fëmijëve. Viktima banonte në Vlorë, në lagjen "10 Korriku, por shkonte shpesh në Bestrovë për të takuar nënën e tij dhe për të punuar vreshtat. Ai u gjend rastësisht në banesën e nënës së tij kur kushërira shkoi e tmerruar për t‘u shpëtuar plumbave.