Tentohet grabitja me armë e një agjencie
VLORË/ Një i ri i veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë i ka kërkuar paratë sportelistes nën kërcënimin e armës
Dy vetë janë shoqëruar në polici, ndërsa dyshohen se mund të jenë bashkëpunëtorë të të riut grabitës
VLORË - Një i ri ka tentuar të grabisë një prej pikave ku bëhen pagesat e energjisë elektrike, por frika nga mbërritja e policisë, ka bërë që të largohet me vrap, pa mundur të përfitojë shumën e rreth 500 mijë lekëve që ndodheshin në arkë.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të ditës së enjte, në lagjen "29 Nëntori", tek Tregu i Orizit. Sipas policisë, një i ri, rreth 25 vjeç, ka tentuar të grabisë një prej angjecive të OSSH-së ku qytetarët bëjnë pagesën e energjisë elektrike.
Duke përfituar dhe nga pozicioni i vetë arkës, që është e futur në një rrugicë në brendësi të lagjes, por vetëm pak metra nga tregu i madh dhe nga rruga kryesore Vlorë-Skelë, grabitësi ka shkuar pranë sportelit të arkës së elektrikut i veshur krejtësisht me të zeza, si dhe me një kapuç të zi në kokë.
Duke i drejtuar armën punonjëses së kasës, i ka kërkuar asaj të gjitha paratë që kishte e ndërkohë ka pritur. Por kjo e fundit është vonuar paksa teksa është justifikuar me faktin se nuk kishte para dhe se po i mblidhte gjithçka kishte në sirtarë të ndryshëm, të gjithë me çelësa.
Një gjë e tillë e ka vonuar grabitësin, ndërsa një kalimtar i rastit e ka trembur edhe më shumë atë. Më pas, mësohet se ai ka dëgjuar sirenën e policisë dhe është larguar me vrap duke mos marrë asgjë nga arka ku paguheshin faturat.
Policia e shtetit së bashku me punonjës të një firme private të ruajtjes së rendit, e cila është përgjegjëse për arkat e pagimit të faturave të energjisë kanë mbërritur pas pak minutash, por pa bërë të mundur ndalimin e e personit, i cili nën kërcënimin e armës tentoi të grabisë këtë filial.
Blutë, të drejtuar nga shefi i komisariatit e nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorë, Ylli Metko, kanë marrë në pyetje disa kalimtarë e tregtarë të Tregut të Orizit, të cilët ndodhen vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes.
Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar në polici dy të rinj. Grabitësi dyshohet se ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë, pavarësisht se është paraqitur i vetëm në sportelin ku paguhen faturat.
Ndërkohë të shoqëruarit janë marrë në pyetje, teksa burime nga policia bënë të ditur se janë afër zbulimit të emrit të autorit. Sipas arkëtares së filialit të OSSH-së në momentin kur është shfaqur grabitësi i maskuar, në arkë qenë rreth 500 mijë lekë të reja. Vazhdon puna për kapjen e autorit për "grabitje me armë" të mbetur në tentative.