Pengmarrësit pranojnë fajin, edhe pengu në pranga

KURBIN/ Ndoc Ndou u arrestua pasi në banesën e tij u gjet një armë automatike, si dhe fishekë pistolete
KURBIN - Kanë mohuar të kenë marrë peng të afërmin e tyre, duke pretenduar se thjesht po sqaroheshin, por ballafaqimi mes të treve përpara oficerëve të policisë gjyqësore ka bërë që në fund të pranojnë se bëhej fjalë për një marrje nën kërcënimin e armës të nipit.
Burime nga policia bënë të ditur se Mark Nikoll Gjini, 54 vjeç, dhe djali i tij Valmiri, 23 vjeç, banorë të lagjes nr.5 të Laçit akuzohen për "rrëmbim ose mbajtje peng të personit", në bashkëpunim, si dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake".
Por ndërkohë në pranga ka përfunduar edhe personi i marrë peng Ndoc Ndou. Këtij të fundit në banesë iu gjet një automatik dhe një krëhër me 20 fishekë, të cilat u sekuestruar nga policia.
Në njoftimin zyrtar të saj, policia e Lezhës deklaron se: "Më datë 26.5.2010, rreth orës 19:00 shtetasit Mark Nikoll Gjini dhe Valmir Mark Gjini, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rrëmbyer nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë tip beretë shtetasin Ndoc Ndou, duke e mbajtur atë peng në mjetin e tyre tip "Benz 240" me targa LA 8980 A deri në orën 23:00 të po kësaj date.
Forcat e policisë kanë negociuar për rreth 4 orë me pengmarrësit dhe kanë ndërhyrë duke bërë të mundur lirimin e pengut, si dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Mark Gjinit janë gjetur një granatë dore dhe një ndezës i unifikuar granate".
Ndërkohë, burime të policisë thonë se menjëherë pas ngjarjes autorët e mohuan pengmarrjen teksa deklaruan se po shkonin në Pukë. Por pas krehjes së zonës, u bë i mundur zbulimi i vendndodhjes së pengmarrësve dhe pengut.
Mësohet se në këtë kohë, Mark Gjini ka hedhur armën nga makina, por policia nuk e ka lejuar atë që të lagohej nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që armës së gjetur i është kryer ekspertiza.
Mark Gjini bashkë me të birin, mori peng djalin e motrës Ndoc Ndou. Burime nga policia bënë të ditur se shkak për këtë veprim ishte një konflikt që kishte lidhje me 4 dynymë tokë në Fushë-Gjorm të cilat punoheshin nga Ndou por ishin në emër të Mark Gjinit.
Kjo pronë, sipas palëve në konflikt ishte blerë me paratë e Ndout 10 vjet më parë, kohë në të cilën ai ishte në Greqi si emigrant dhe paratë ia kishte dhënë dajës së vet, ndërsa ishte diskutuar që kjo pronë do të ndahej përgjysmë. Por pavarësisht kësaj Gjini e ka regjistruar atë të gjithën në emër të vet dhe pas 10 vjetësh i ka kërkuar nipit të tij që t'i jepte paratë e përdorimit të saj.
Ky konflikt kishte qenë edhe më parë në qendër të vëmendjes së policisë së Laçit, e cila ishte munduar ta zgjidhte, por mbrëmjen e së mërkurës gjërat degraduan dhe Gjini, sipas dëshmitarëve okularë, mori peng nipin e tij duke i vënë armën në kokë. Pas njoftimit të policisë, blutë nën drejtimin e komisarit Gjelosh Prendi nisën kërkimet, ndërsa arrestimi u krye rreth orës 23:00.