E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Fierit kërkon shpërndarjen e këshillit bashkiak

KËRKESA/ Kryetari Baftjar Zeqaj e ka cilësuar politik vendimin për rrëzimin e buxhetit 2010 të bashkisë që ai drejton

Rrëzimi tre herë rresht i projektbuxhetit të paraqitur nga ana e këshillit, sipas ligjit, çon në shpërndarjen e tij


FIER - Kryetari i bashkisë së Fierit ka kërkuar shpërndarjen e këshillit bashkiak. Pas pesë muajsh debatesh të cilat kanë vijuar pa arritur të gjejnë një mirëkutpim mes palëve, rrëzimi i projektbuxhetit të paraqitur për vitin 2010 ka bërë që kryebashkiaku të kërkojë shpërndarjen e këshillit, kjo e bazuar në nenin 38 të ligjit Nr.8652, datë 31.7.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore".


Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në bashkinë e Fierit, kryetari Baftjar Zeqaj tha se i është drejtuar me një letër prefektit të Fierit, Bujar Hasaj, ku i kishte kërkuar shpërndarjen e këshillit bashkiak, i cili pas tri mbledhjeve radhazi, nuk ka mundur të miratojë projektbuxhetin e paraqitur nga bashkia.


Sipas kryebashkiakut, mosmiratimi i projektbuxhetit ka bërë që për pesë muaj institucioni që ai drejton të punojë me 1/12 e buxhetit që kishte në dispozicion. Zeqaj tha se i bën thirrje kryeminsitrit që t'i kthejë normalitetin qytetarëve fierakë.


"Që prej 5 muajsh përfaqësues të Partisë Demokratike mbajnë të bllokuar buxhetin e Bashkisë së Fierit. Qëllimi i tyre është të pengojnë, me të gjitha mënyrat, zhvillimin e qytetit, vetëm e vetëm për të bërë fajtore qeverisjen e bashkisë në sytë e qytetarëve. Ata nuk kanë as më të voglin shqetësim për banorët e këtij qyteti dhe për ta e rëndësishme është të fitojnë interesat e tyre të ngushta",- deklaroi kryetari Zeqaj.


Ai tha se Bashkia ka paraqitur një buxhet që për nga metodologjia dhe format e zbatuara nuk ndryshon pothuajse në asnjë pikë nga buxhetet e paraqitur në vitet e mëparshme dhe që kanë marrë miratimin e Këshillit të Bashkisë. Zeqaj e cilësoi si "një taktikë djallëzore" deklaratat e disa prej anëtarëve të shumicës së djathtë, se buxheti është miratuar por "me ndryshimet përkatëse".


"Por ligji nuk ua jep këtë të drejtë në rastin e buxhetit të Bashkisë së Fierit, që ata vazhdojnë ta mbajnë peng prej muajsh. Paraqitja e buxhetit është një e drejtë e padiskutueshme e ekzekutivit vendor, ashtu sikurse është e drejta e këshillit ta miratojë ose ta rrëzojë atë",- deklaroi Zeqaj.


Duke vazhduar më tej ai shprehet se "kushtet që shumica e krijuar artificialisht kërkon t'i vërë bashkisë jo vetëm që nuk kanë bazë ligjore, por u mungon edhe morali, edhe arsyeja: duke pasur parasysh që Ndërmarrja e Pastrimit është krijuar me vendim të Këshillit të Bashkisë, Bashkia ka reflektuar ndaj kërkesave të shumicës, duke i hapur rrugën riprivatizimit të ndërmarrjes dhe studimit për privatizim edhe të Ndërmarrjes Komunale. Megjithatë, aleanca hibride nuk kënaqet, por këmbëngul të heqë nga puna rreth 60 nëpunës civilë, me një shkarravitje lapsi.


Ata nuk pyesin për dokumentet e rëndësishme që Shqipëria ka nënshkruar për autonominë lokale, nuk duan t'ia dinë për ligjin, për Statusin e Nëpunësit Civil, dhe nuk ndiejnë pikën e fajit për kërkesën për të lënë pa bukë 60 familje",- tha Zeqaj. Ndërkohë ai i bëri thirrje Kryeministrit të ndërhyjë për të zhbllokuar situatën dhe për t'i rikthyer normalitetin qytetit.


Pas ankimimit të kryebashkiakut, prefekti i qarkut të Fierit, Bujar Hasaj, tha se pasi të shqyrtojë materialin e paraqitur nga këshilli bashkiak, në bazë të ligjit do të kthejë edhe përgjigjen zyrtare.


Neni 38

Shpërndarja e parakohshme e këshillit komunal ose bashkiak
1. Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave kur:
a) nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore;
b) nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji;
c) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›