Zbulohet fabrika e sallamit dhe pijeve false
PARIZIERI I FUNDIT/ Bledar Shehu dhe Shëndet Boçi u arrestuan nga policia paraditen e djeshme gjatë një operacioni
Prej dy vjetësh të arrestuarit prodhonin në banesë sallame të firmave të mirënjohura me etiketa false
ELBASAN - Prodhonin sallam të firmave të mëdha në vend dhe po kështu edhe pije alkoolike të ndryshme. E këto "fabrika", ndodheshin pikërisht në një banesë në lagjen "Skënderbej" të qytetit të Elbasanit.
"Parizieri i fundit" është operacioni që ka vënë në pranga shtetasit Bledar Shehu dhe Shëndet Boçi, të dy të lindur në Përmet dhe banorë të Elbasanit. Mësohet se këta dy persona prodhonin në "fabrikën" e tyre sallame të firmave të njohura në vend, ndërkohë që përdornin etiketa false.
Sallamet ishin "Parizier" apo "Turist", ndërkohë që fitimeve të tyre u shtoheshin edhe pijet si raki, verë e uthull, të prodhuara në mënyrë artizanale, por që me etiketa të falsifikuara çonin në përfitimin e shumave të mëdha. Aktiviteti mësohet se vazhdonte prej dy vjetësh.
Operacioni i policisë "Parizieri i fundit", që mori emrin pikërisht prej njërës prej markave të sallamerisë të prodhuara prej të pandehurve është zhvilluar paraditen e djeshme nga agjentët e sektorit të krimit ekonomik-financiar.
Si rezultat janë arrestuar shtetasit Bledar Shehu dhe Shëndet Boçi. Të dy këta shtetas, sipas policisë, kishin instaluar një linjë prodhimi sallamerie në gjendje pune, për të cilën nuk zotërohej asnjë lloj dokumentacioni, aktivitet ky i cili kryhej prej më shumë se 2 vjetësh.
Gjatë kontrollit të ushtruar u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mishi i llojeve të ndryshme, si: pulë, gjedhi, mish i grirë, të cilën këta shtetas e përdornin si lëndë të parë për prodhimin e sallameve të ndryshme. Po kështu u konstatua një sasi sallami e prodhuar e gatshme për t'u shitur me marka të falsifikuara: turist, parizier dhe gjithashtu qofte, salçiçe.
Zëdhënësja e policisë u shpreh se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi prej 2000 kg mish i grirë i gatshëm për prodhim, 600 kg mish i përzier, esenca të ndryshme për prodhim sallami, etiketa të llojeve të sallameve të mësipërme, të cilat ishin të falsifikuara.
Gjithashtu, nga policia është zbuluar edhe një linjë e prodhimit të pijeve alkoolike. Nga kontrolli i banesës së shtetasit Shëndet Boçi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe 3000 kg pije të ndryshme alkoolike e prodhuar në mënyrë artizanale, si raki, verë, uthull etj, të destinuara për treg.
Dy shtetasit e arrestuar do të përballen me akuzën "prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore e kryer në bashkëpunim". Policia deklaron se aktiviteti i dy të arrestuarve ishte kthyer në një biznes fitimprurës që zëvendësonte firma e marka të kontrolluara dhe që mendohet se vazhdonte prej minimalisht dy vjetësh.