Shoqërohet në polici dhunuesi i Maks Velos
Blutë ndaluan dje në mbrëmje për disa orë në ambientet e tyre të dyshuarin për rrahjen ndaj artistit
TIRANE- Një ditë pas dhunimit të artistit të njohur Maks Velo ndodhur në afërsi të stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", policia shoqëron autorin e dyshuar të ngjarjes Shpëtim Damën.
Lajmi u konfirmua për gazetën "Shekulli", nga zëdhënësja e policisë së kryeqytetit Alma Katragjini, që pohoi se i dyshuari është shoqëruar mbrëmjen e djeshme në ambientet e komisariatit të Policisë nr.1, ku edhe më pas është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Shpëtim Dama, rreth 50 vjeç, me banim në Tiranë, u shoqërua nga policia, të cilit i mori një deklarim në lidhje me incidentin e mësipërm, ku ai ka dhënë versionin e tij.
Burimet e policisë pohuan se Dama ishte shoqëruar nga policia pasditen e djeshme në lidhje me incindentin e ndodhur në kryeqytet, kur arkitekti dhe publicisti i njohur Maks Velo u godit me grushte dhe sende të forta nga një person, pronar i një trualli në qendër të kryeqytetit, ku një kompani po ndërton.
Dama pretendoi se nuk e kishte goditur Velon dhe se nuk kishte ushtruar dhunë ndaj tij. Arkitekti dhe piktori Velo, e denoncoi ndërtimin që sipas tij i shëmton pamjen kryeqytetit, për shkak se ndodhet në një zonë ku i prish pamjen ndërtesave të tjera.
Denoncimin e mësipërm Velo e dha në gazetën "Shekulli", me 11 mars të këtij viti, ku ai jepte argumentet e tij kundër kësaj ndërtese.
Dy muaj e më tepër pas shkrimit të Velos i cili njihet edhe si publicist, ai u godit nga pronari i truallit. Velo denoncoi në gazetën "Shekulli", dhunën e ushtruar ndaj tij, duke mos pranuar të denonconte në organet përkatëse për shkak të mosbesimit që ai pohoi se kishte në organet e drejtësisë nisur nga eksperiencat e mëparshme të tij.
Policia tha se materialet në ngarkim të Damës, do të kalojnë në prokurorinë e rrethit për veprat penale të kanosjes dhe dëmtimeve të tjera me dashje.