Shembet suvaja e tavanit të bibliotekës, lëndohet një studente

DURRËS/ Mësohet se pas ngjarjes do të merret edhe vendimi për transferimin e bibliotekës në një tjetër ambient
DURRËS - Shembja e tavanit në një nga sallat e fondeve të hapura në bibliotekën publike të Durrësit ka rrezikuar jetën e një studenteje të iniversitetit "Aleksandër Moisiu", 21-vjeçares E.Kurti.
Studentja e Ciklit të Ulët të Fakultetit të Edukimit ishte duke kërkuar në raftet e librave kur një copë betoni është shkëputur nga tavani duke e goditur në sup. Mësohet se vajza ka humbur ndjenjat në momentin që ndodhi ngjarja, ndërsa dëshmitarët u shprehën se ishte me fat që copa e suvase nuk e kishte goditur në kokë. Mosndërhyrja shumëvjeçare në ndërtesën 100-vjeçare e ka kthyer atë në një rrezik frekuentimin e saj nga lexuesit dhe personeli.
Alarmi për gjendjen e saj është dhënë prej vitesh, është shprehur drejtoresha e këtij institucioni, e megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndryshuar asgjë.
Drejtoresha deklaroi se ky rast është shumë indinjues për qytetarët durrsakë, pasi nuk mund të lejohet katandisja e bibliotekës në një gjendje të tillë. Sipas saj, ka rreth dhjetë vjet që investimet janë bërë me pikatore, ndërsa investimi i fundit ishte ai i dy viteve më parë me rreth 170 000 lekë që u përdorën për të mbështjellë të çarat e tarracës me letër katramaje.
E. Kurti, 21 vjeçe, lexuese e rregullt në bibliotekën e Durrësit ishte duke parë një libër kur copa betoni ranë nga tavani dhe e lënduan. Vajza humbi ndjenjat nga goditja e masivit të arkitraut të tavanit të ndërtesës së amortizuar tërësisht.
Dëshmitarët thanë se nëse copa e betonit që e kalonte masën e një kilogrami do t'i kishte rënë në kokë, atëherë vajza do të kishte pasur pasoja për jetën. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Flora Dervishi, amortizimi i godinës 100-vjeçare e ka bërë atë të pabanueshme.
Madje edhe grupi inxhinierik i Bashkisë ka dalë në konkluzionin se"ndërtesa është në gradën e fundit dhe ajo duhet mbyllur. Problemi mbeten fondet. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, biblioteka ka qenë e hapur për lexuesin. Në kushte lagështire aty ruhen 210 000 tituj librash.
Pas ngjarjes Bashkia e Durrësit ngriti një grup emergjent pune të cilët nxorën konkluzionin se Urdhri me shkrim nga Bashkia për mbylljen e Bibliotekës do të vijë së shpejti dhe se ndërtesa e biblotekës mund të transferohet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.