E Diel, 1 Nëntor 2026

Ersekë, dhunohet militanti i PS-së, mbante postera në ballkon



Rishfaqet dhuna në fushatë. Shënohet incidenti elektoral i radhës në qytetin e Ersekës. Dhunohet nga ana e Gardës së Republikës banesa e një qytetareje, pasi në ballkonin e banesës së saj mbante postera të liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në këtë qytet, në banesën e shtetases Katina Jashari. Garda ka hequr posterat e Ramës të ngjitura në ballkonin e banesës se Jasharit. Mësohet se lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të mbante dje një miting në këtë qytet, në kuadër të fushatës elektorale. Rastet e dhunës dhe të përplasjeve në këtë fushatë kanë qenë të përsëritura dhe thuajse të përditshme. Disa javë pas vrasjes së Xhindit nisi zyrtarisht fushata elektorale, ndërsa sinjalet e para të dhunës po evidentoheshin në të gjithë vendin. Më datë 2 qershor kryetari i PS-së për fshatin Zëmblak të Korçës u rrah barbarisht së bashku me një kushëririn e vet nga kryeplaku i fshatit, i cili i përkiste PD-së, Bilal Mullalli. Shkak për rrahjen e kryetarit të PS-së së fshatit, Fatos Hysaj, ishte fakti pse kishte vizatuar në murin e shtëpisë së vet inicialet “PS” të partisë së tij. Ky akt u pasua dy ditë më vonë me dhunimin e zyrave elektorale të PS-së te “Don Bosko” në Tiranë dhe në Xhafzotaj të Durrësit. Ende pa u tretur jehona e këtyre dhunimeve të para të fushatës, nga Korça erdhi lajmi se persona ende të paidentifikuar kishin dëmtuar zyrën elektorale të Partisë Socialiste në fshatin Dhashtimë të qarkut të Korçës. Në vendngjarje mbërritën edhe përfaqësues të OSBE-së. Më tej seriali zhvendoset sërish në kryeqytet, me grisjen e posterave të Partisë Socialiste në qendër të Tiranës. Partia Socialiste reagoi publikisht pas ngjarjes që ndodhi në zemër të kryeqytetit duke e shpjeguar aktin me frikën e humbjes nga ana e Berishës. Më tej, në datën 8 qershor 2009, ka ndodhur një incident i rëndë në fshatin Vreshtas të Korçës. Një simpatizant i Partisë Socialiste është plagosur me mjete të forta dhe ndodhet në gjendje të rëndë, pasi kishte ngjitur postera të PS-së në shtëpinë e tij. Policia dyshon se personat që e sulmuan ishin militantë të Partisë Demokratike. I plagosuri ishte Defrim Rrema, 40 vjeç, i cili është sulmuar në banesën e tij me mjete të forta nga persona ende të pa identifikuar, duke e lënë të plagosur rëndë.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›