E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të vidhte me armë, vihet në pranga

Pikë karburanti / foto arkiv

Identifikohet dhe vihet në pranga një 19 vjeçar, pasi tentoi të vidhte me dhunë nën kërcënimin e armës së zjarrit në një pikë karburanti. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Ahmet Haxhia në Shkodër, rreth orës 03:30 të së mërkurës. Sipas policisë, Mhill Gjergji, 19 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, ka tentuar të vjedhë me forcë një pikë karburanti.

Me një motoçikletë dhe i maskuar me skafandër, ai ka shkuar tek pika e karburantit dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë ka tentuar të vjedhë shitësin e pikës së karburantit duke i kërkuar paratë e xhiros.

Shitësi nuk ka pranuar por është përleshur me grabitësin, i cili sipas policisë gjatë përleshjes ka qëlluar një herë me armë zjarri por pa shkaktuar dëme. Krisma është dëgjuar nga banorët dhe ardhja e policisë ka bërë që grabitësi të largohet me motoçikletë.

Policia ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes, ku ka sekuestruar si provë dhe një gëzhojë model 54 ndërsa ka bërë identifikimin e autorit dhe e ka arrestuar disa orë më vonë.

Në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar iu sekuestruan dy motoçikleta. /A.D/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›