E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionerët e Beratit, peticion Ramës

 

Aristir Lumezi

Komisionerët socialistë të KZAZ-së Nr.1 në Berat i bëjnë apel Erion Braçes të ndalë shpifjet ndaj tyre. Përmes një peticioni dërguar kryesisë socialiste, 13 komisionerë të kësaj KZAZ hedhin poshtë çdo deklaratë të deputetit socialist se kanë manipuluar rezultatin në zgjedhjet e 28 qershorit. “Mospërmbushjen e objektivit për të fituar 6 mandate në qarkun e Beratit, Erion Braçe nuk duhet t’ia faturojë komisionerëve të PS-së, por duhet ta kërkojnë tek vetja, si drejtues i shtabit elektoral të PS-së në këtë qark. Nëpërmjet kësaj deklarate, ne i kërkojmë kryesisë së PSSH-së dhe PS-së bashkisë së Beratit të analizojë deklaratat e papërgjegjshme të zotit Erion Braçe dhe jemi të gatshëm të ballafaqohemi në çdo kohë e kudo. I bëjmë thirrje zotit Braçe të ndalë sulmet, shpifjet e kërcënimet ndaj punës korrekte e me përgjegjësi të komisionerëve të PS në zonën zgjedhore nr.1”, shprehen komisionerët socialistë në peticionin e tyre drejtuar kryesisë së PSSH-së. Ata shprehen se korrektësia në punën e tyre është vlerësuar dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ndërsa vetë deputeti i këtij qarku i akuzon ata për manipulim dhe shitje të votave. Përmes fakteve, ata sjellin punën e bërë prej tyre dhe strukturave të PS-së, ku të gjithë bashkë sollën një rezultat mjaft të mirë në zgjedhje dhe në administrimin e votës.  “Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë në një nivel të lartë në masën 46%, ose 13.3% më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2007.
Përsa i takon zhurmës që bëhet nga zoti Erion Braçe dhe megafonët e tij për votat e pavlefshme, sqarojmë anëtarësinë, simpatizantët e PS-së dhe mbarë opinionin publik të qytetit të Beratit, se votat e pavlefshme zënë 3.4% ose 765 vota ndaj totalit të votave të vlefshme që janë 21.996 vota, ose 1% më pak se votat e pavlefshme nga zgjedhjet e vitit 2007. Për më tej nga 55 QV të zonës zgjedhore nr.1, 45 QV i ka fituar PS-ja me diferencë të ndjeshme 30-60%, 8 QV i ka fituar PD-ja dhe 2 QV janë ndarë me diferencë 1-2 vota midis dy partive të mëdha”, shprehen ata. Sipas tyre, përballë rezultateve të mësipërme, askush, qoftë ky edhe deputet, nuk kanë të drejtë morale, politike e më tepër ligjore të akuzojnë komisionerët e PS-së si manipulues të votës së 28 qershorit.

Komisionerët e KZAZ Nr.1

    Krenar Suku
    Seit Dhembo
    Gora Zaimi
    Vjollca Hoxha
    Fatos Zotka
    Venetik Çela
    Xhoxhi Gjoka
    Ismail Toska
    Teuta Muçogllava
    Vladimir Pipiria
    Rushit Ruka
    Josif Serjanaj
    Asqeri Toska

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›