Tenton vetëvrasjen me telat e energjisë, mbyllet në Psikiatrik
Tiranë Një 43- vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës, duke prerë telat e energjisë elektrike, por fatmirësisht ndërhyrja në kohë e efektivëve të policisë, ka evituar tragjedinë. Ngjarja në fjalë është regjistruar gjatë orëve të mesditës së djeshme në rrugën “Tefta Tashko” në Tiranë, ku 43-vjeçarja Shqipe Rexha ka hipur në çatinë e banesës së saj private dhe ka tentuar të presë telat e korrentit. Telefonatat e banorëve të zonës kanë bërë që forcat e policisë të ndërhyjnë në kohë. Menjëherë pas mbërritjes, efektivët e policisë kanë ndaluar Rexhën dhe e kanë shoqëruar atë në ambientet e spitalit psikiatrik, ku do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore, pasi sipas banorëve të zonës, ajo ka pasur probleme të shumta mendore dhe se herë pas here krijonte probleme në zonë. Në lidhje me këtë ngjarje, banorët e zonës janë shprehur se prej disa kohësh del në mes të rrugës e ndalon makinat, madje sipas tyre edhe zhvishet lakuriq në mes të rrugës. Ndërkohë mësohet se Rexha prej disa kohësh jetonte e vetme në banesë, pasi fëmijët ishin larguar dhe jetonin me dy ish-bashkëshortët e saj. Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga efektivët e policisë, është arritur të provohet se Shqipe Rexha prej disa kohësh vuante nga probleme mendore, të cilat e shtynin të bënte veprime të pamenduara. Nga ana tjetër, pritet që pas kontrolleve mjekësore, të vendoset për fatin e 43-vjeçares Rexha.