E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë negociatat mes minatorëve dhe firmës austriake

BULQIZË Është mbyllur mbrëmë dita e tretë e protestës së 700 minatorëve të Bulqizës pa ndonjë rezultat konkret, pasi takimi mes përfaqësuesve të firmës Albanian Krom dhe sindikalistëve të Bulqizës është mbyllur me debate të forta dhe pa zgjidhje për kërkesat ekonomike të minatorëve. Ndërsa dje, sipas një njoftimi për shtyp, ministri i Energjetikës, Nasip Naço, ka ngritur Grupin e Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar të shoqërisë koncesionare ACR, e cila kryen aktivitetin e saj në minierën e Bulqizës. Ky kontroll po kryhet në zbatim të detyrimeve të marrëveshjeve respektive koncesionare dhe detyrimeve të legjislacionit minerar në fuqi dhe përfshin aktivitetin minerar të shoqërisë koncesionare për periudhën 2010-2011. Në përfundim të kontrollit, Grupi i Punës do të hartojë raportin përmbledhës për gjithë aktivitetin e kompanisë koncesionare, i cili do të pasqyrojë realizimin nga koncesionari të detyrimeve të marrëveshjeve të koncesionit, kërkesat e respektimit të legjislacionit minerar në fuqi, si dhe do të ofrojë masat dhe propozimet përkatëse. “Përsa i përket zhvillimeve të fundit në minierën e kromit në Bulqizë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë ditën e sotme takime me të gjitha palët dhe do të informohet me kërkesat dhe pretendimet e tyre”, thuhet në njoftim.

Dita e tretë e protestës nisi në mjediset e ndërmarrjes dhe u transferua në qendër të qytetit, në një tubim paqësor, ku me minatorët u bashkuan edhe qindra banorë të qytetit. Në fjalën e tij presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, është shprehur se firma e huaj nuk ka plotësuar kushtet e parashikuara në kontratë. Ai kritikoi mungesën e investimeve, kushtet e rënda në punë, pagat e ulëta, taksën e dyfishtë etj. Për negociatat në orët e pasdites, në zyrat e minierës Bulqizë, ka mbërritur përfaqësuesi i firmës ACR. Janë ulur në një tryezë të përbashkët dhe mbledhja ka zgjatur më pak nga ç’ishte parashikuar. Kol Nikollaj, Taf Koleci, Dilaver Përkoxha dhe drejtuesi i protestës, Luan Uka, i kanë bërë të ditura përfaqësuesit të firmës kërkesat e tyre ekonomike. “Ne, i thanë ata zyrtarit të firmës ACR, u jemi drejtuar disa herë me letra dhe u kemi njohur me kërkesat tona për rritje page, kryerje të investimeve, përmirësimin e kushteve të punës, largimin e subjekteve të tjera minerare nga territori i ACR-së. Ju në vend të dialogut na keni kërcënuar me mbyllje të minierës” - i thanë minatorët përfaqësuesit të ACR-së. Ndërkaq ky i fundit ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të minatorëve në vendet e tyre të punës dhe më pastaj të negociohet për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Kjo përgjigje e tij ka irrituar më shumë minatorët. Madje, nuk kanë munguar debatet e forta dhe fyerjet në adresë të firmës koncesionare dhe zyrtarëve të saj. Minatorët nuk i janë bindur ofertës së përfaqësuesit të ACR-së dhe kanë paralajmëruar të tjera protesta e lëvizje sindikaliste.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›