Përplasje në seri, dy të vdekur dhe dy të plagosur
LEZHË Aksident automobilistik në seri në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë, në vendin e quajtur Ura e Madhe, me pasojë vdekjen e 2 shtetasve dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 04.00 të mëngjesit të ditës së djeshme. Automjeti tip BMV Ç 630 CH i drejtuar nga Dhimitër Haxhillari, 43 vjeç, Cërrik, me pasagjer Leonidha Kote, 50 vjeç, është përplasur fillimisht me Fuoristradën me targë EL9702 B me drejtues Bardhyl Cërriku, 66 vjeç, dhe më pas me kamionin me targë KO 5972 B me drejtues Asqeri Lamellari, 50 vjeç, nga Korça. Kanë vdekur në vend Dhimitër Haxhillari dhe Leonidha Kote. Me gjithë ndihmën e dhënë nga drejtuesit e tjerë, për ata nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave dhe një parakalim i gabuar i automjetit tip BMV. Ky ishte aksidenti i parë me pasoja kaq të rënda për këtë verë në Elbasan, me gjithë masat e marra nga policia për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe stinës së verës. F.S.