E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyndja e pushuesve nga Kosova, shtohen vjedhjet në zonën e Plazhit

DURRËS Që nga fillimi i këtij muaji është rritur ndjeshëm numri i pushuesve që vijnë nga Kosova, me destinacion plazhin e Durrësit. Mesatarisht nga qytete të ndryshme të Kosovës, me destinacion Durrësin, nisen 30-50 autobusë në ditë, por në fundjavë ky numër shkon edhe në 100 autobusë. Ekspertët e vlerësimit të sezonit turistik shprehen se rreth datave 10-15 korrik në Durrës pritet që të vijë numri më i madh i pushuesve, i cili qëndron në të njëjtin nivel deri në datën 10 gusht. Në këtë periudhë popullsia në Durrës katërfishohet, duke rritur ndjeshëm lëvizjet e njerëzve dhe automjeteve. Pavarësisht anës pozitive për ekonominë e zonës së Plazhit në veçanti dhe gjithë qytetit të Durrësit, kjo periudhë është periudha më delikate për policinë e këtij qyteti. Shumë raste vjedhjesh dhe aksidentesh janë regjistruar ditët e fundit në këtë zonë dhe shkaku kryesor për këtë janë shtimi i popullsisë dhe qarkullimi i mjeteve. Autobusët që nisen nga Kosova kanë krijuar tashmë vendqëndrimet e tyre fikse, pasi janë lidhur më parë me persona që kanë krijuar agjencitë përkatëse dhe që janë banorë të zonës. Në vendet ku ndalojnë autobusët, mblidhen edhe shumë banorë të zonës që kërkojnë t’i marrin pushuesit në hotelet apo banesat e tyre që lëshojnë me qira. Një numër tjetër i madh krijohet nga personat që punojnë në këtë periudhë si taksi. Në këtë mënyrë, hajdutët duket se po e shfrytëzojnë më së miri këtë situatë. Policia e ka pothuajse të pamundur për të mbuluar dhe mbajtur nën kontroll të gjithë këto vende nga elementët keqbërës. Dje në mesditë, policia ka marrë një denoncim për vjedhjen e një gruaje, e cila sapo kishte mbërritur nga Ferizaj me një nga autobusët që ishin nisur në mëngjes herët nga ky qytet. Dy minorenë kanë qenë autorët që i kanë vjedhur gruas portofolin, ku ajo kishte të gjithë shumën që kishte marrë për të kaluar 10 ditë pushime në Durrës. Pas 5 minutash, në stacionin afër vendit të quajtur “Korali”, kanë mbërritur dy autovetura të patrullës si dhe një automjet i policisë kriminale. Minorenët janë kapur menjëherë, pasi ata ishin futur në grumbullin e pasagjerëve që kishin zbritur nga tre autobusë që erdhën në këtë stacion në të njëjtën kohë. Një situatë e tillë ka krijuar mjaft probleme për pushuesit që vijnë nga Kosova, ndërsa Policia në Durrës është vënë në alarm dhe ka marrë masa shtesë, duke caktuar për zonën e Plazhit mjete dhe efektiva shtesë, në mënyrë që të patrullohet e gjithë zona gjatë kohës kur mbërrijnë autobusët në stacionet përkatëse. Në lidhje me automjetet e Policisë së Kosovës, ato kanë si mision vetëm shoqërimin e karvanit të autobusëve për gjatë gjithë rrugës, ndërsa më pas ata kthehen për të bërë të njëjtën gjë ditën e nesërme.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›