Gjyqi për arratinë e turkut të heroinës, në shtator
Mungesa e avokatit të Abduselam Turgut, turkut të kërkuar nga Gjermania, ka detyruar Gjykatën e Lartë të shtyjë seancën për në shtator
Tiranë Skandali me lirimin e shtetasit turk, Abduselam Turgut do të zgjidhet vetëm në shtator nga Gjykata e Lartë, e cila ditën e djeshme vendosi të shtyjë për herë të dytë seancën në ngarkim të tij. Sërish, shkak është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të shtetasit turk, i cili nuk është paraqitur në seancën e djeshme, duke detyruar kështu kolegjin penal me relator gjyqtarin Aleksandër Muskaj të shqyrtojë këtë çështje në muajin shtator. Gjykata pritej të jepte vendim mbi kërkesën e prokurorisë, e cila kundërshtoi lirimin e shtetasit turk nga Gjykata e Apelit Tiranë, përmes caktimit ndaj tij masën e sigurimit “arrest shtëpie”. Por rekursi i akuzës, që e cilësoi vendimin e Apelit si të padrejtë, nuk është shqyrtuar as ditën e djeshme, e ndërkohë që i dyshuari për trafikun ndërkombëtar të heroinës vazhdon të jetë në listën e personave në kërkim. I arrestuar në fshehtësi të plotë në shkurt të këtij viti, Abdulselam Turgut përfundoi për disa ditë në qeli, pasi shkalla e parë vendosi ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”. Masa shtrënguese e sigurisë u caktua në pritje të kërkesës për ekstradim nga drejtësia gjermane, ku Turgut akuzohet për trafikun e rreth 1 ton heroine, përgjatë viteve 2008-2009. Por arrestimi i Turgut ishte vërtet i përkohshëm, pasi në mars të këtij viti, Gjykata e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurimit “arrest shtëpie” për disa mangësi në dokumentet e dërguara nga Interpoli dhe autoritetet gjermane. Arresti i shtëpisë u pasua nga një tjetër “gafë” e gjykatës, e cila si adresë zyrtare ku shtetasi turk do të qëndronte gjatë arrestit të shtëpisë ishte një pallat 8-katësh në zonën e “Kthesës së Kamzës” në Tiranë. Adresa ishte aq e komplikuar, sa që oficerët e policisë kërkuan për dy ditë me radhë për të gjetur banesën e Turgut, pasi u dha alarmi se ai mund të kishte përfituar nga masa e butë e sigurisë për t’u arratisur. Dhe në fakt kështu ndodhi, pasi rezultatet e kërkimit të policisë ishin të pasuksesshme. Prokuroria urdhëroi policinë të gjente të kërkuarin, Abdulselam Turgut, i cili tashmë rezulton person në kërkim edhe në Shqipëri. Turgut akuzohet nga drejtësia gjermane për trafikimin e sasisë së konsiderueshme të një toni heroinë në këtë vend dhe ka nxjerrë për të një urdhër-arrest ndërkombëtar. L.Bakillari