Tentuan të kalojnë kufirin, bllokohen në malet greke
KORCE- Bllokohen në dëborë në përpjekje për të kaluar kufirin grek 4 persona. Kanë qenë vetë emigrantët që kanë dhënë alarmin në televizionin News24 duke bërë apel për ndihmë pasi kanë mbetur të izoluar në dëborë e në errësirë të plotë. Mësohet se bëhet fjalë për 2 shtetas nga qyteti i Peshkopisë dhe 2 të tjerë nga Shkodra të cilët janë nisur nga Korca drejt Greqisë por kanë mbetur të bllokuar në malet e shtetit fqinj për shkak të dëborës së dendur. Momentalisht bëhen të ditur vetëm emrat e dy prej personave të bllokuar, Azis Muca dhe Hajredin Sula. I kontaktuar në telefon nga News24 njëri prej emigrantëve, Azis Muca theksoi se ata kanë përshkuar një rrugë prej 4 orësh nëpër male në tentativë për të kaluar ilegalisht në tokën greke. Muca ka bërë të ditur se njëri prej emigrantëve nuk është në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa dëbora në vendin ku ndodhen arrin deri në 50 centimetra. “Ndodhemi në tokën greke, në mal, ka rreth 50 cm borë, jemi të bllokuar që në orën 6 të pasdites. Nuk e dinim rrugën, nuk kishim ardhur asnjëherë këtej. Njëri prej nesh është operuar nga stomaku dhe tani nga të ftohtët ka të dridhura, ethe dhe dhimbje stomaku, nuk mund të kthehemi ” shprehet Muca. Katër personat kanë mbetur të izoluar dhe nuk mund të ecin përpara e as të kthehen pas, për shkak të errësirës dhe dëborës së dendur. Policia e Korcës ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit në News24, duke bërë të ditur se tashmë është njoftuar edhe pala greke dhe po punohet për lokalizimin e tyre. (vazhdon)