Tentuan të vrisnin fqinjin, arrestohen
Policia arrestoi Nurçe Merën, 28-vjeç dhe Luftim Danzin, 25-vjeç. Plagosën Artan Nikollin
DIBËR-Dy persona që kanë tentuar të vrasin fqinjin e tyre për një grindje të rastit, kanë përfunduar në pranga, pak kohë pas kësaj tentative. Sipas burimeve policore të Dibrës, Nurçe Mera, 28-vjeç dhe Luftim Danzi, 25-vjeç, banues në fshatin Luzni të Dibrës, një ditë më parë kanë qëlluar mbi 22-vjeçarin, Artan Nikolli, po nga fshati Luzni.Sipas burimeve zyrtare, mësohet se 22-vjeçarit i ka prirë fati, edhe pse ka marrë dy plagë të rënda si pasojë e të shtënës që ka marrë nga dy fqinjët e tij.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.00 të paradites, kur dy të rinj janë zënë me fjalë të ashpra për motive krejtësisht të dobëta. Pas ndezjes së debatit, pas fjalëve është përdoruar arma. Burime të policisë së Dibrës konfirmojnë se shtetasit, Nurçe Mera dhe Luftim Danzi u ndaluan dje për tentativën e vrasjes. "Ndalimi i tyre u bë sepse, një ditë më parë pas një grindjeje për motive banale kanë tentuar vrasjen e një bashkëmoshatari, banor i këtij fshati"- thonë burimet policore. Për momentin mendohet se ka qenë 22- vjeçari Danzi, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi shtetasin Artan Nikolli, 22-vjeç, banor i fshatit Luzni.
Policia
Menjëherë dy të rinjtë janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa banorë të fshatit të ndodhur në vendngjarje kanë dërguar të plagosurin në spitalin civil të qytetit të Peshkopisë, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur ndalimin e dy të rinjve, në afërsi të fshatit ku qëndronin të fshehur. Në momentin e ndalimit, atyre u është konfiskuar edhe arma e krimit, një pistoletë tip "T.T". duke iu referuar hetimeve paraprake, rezulton se grindja mes të rinjve të fshatit ka qenë e çastit.