Arrest me burg për kasapin vrasës
Lihet në burg, Flamur Brakja që theri Sadush Hyskajn për parkimin. Në sallë, asnjë nga familjarët
Fier- Gjykata e Fierit ka caktuar arrest me burg për kasapin që dy ditë më parë theri për vdekje një taksist pas një sherri banal për parkimin e makinës. Flamur Brakja, 52-vjeçari që vrau me thikë shtetasin Sadush Hyskaj është shoqëruar dje nga dhomat e paraburgimit të komisariatit të Fierit në sallën e gjykatës. Binte në sy, se në sallën e gjyqit, asnjë nga familjarët e tij nuk kanë qenë të pranishëm. Lidhur me këtë ngjarje, e cila ka ndodhur në datën 8 janar, pas hetimeve të para prokuroria ka grumbulluar provat e nevojshme për të akuzuar të pandehurin. Sipas prokurorit, Genci Mane, shtetasiakuzohet si i dyshuar për veprën penale të 'vrasjes me dashje' ai ka kujtuar se ngjarja ndodhi në vendin e quajtur lagja«5 shkurti»,ku shtetasi Flamur Braka me profesion kasap në qendër të qytetit, për motive të dobëta, një parkim i gabuar i një mjeti nga viktima Sadush Hyskaj ka qëlluar me thikë këtë të fundit. Mësohet se në grindje ka marrë pjesë edhe një person tjetër. Grindja sipas hetimeve është acaruar së tepërmi pasi të dy personat, midis tyre edhe viktima e kanë qëlluar me grushte autorin e krimit. Në këto kushte, ai ka marrë thikën e mishit dhe pa hezitim ka qëlluar mbi trupin e Sadush Hyskajt, duke e lënë të vdekur. Më pas ai është kapur nga policia dhe është shoqëruar në komisariatin e policisë së Fierit. Në vendin e ngjarjes është bllokuar si provë materiale edhe thika, me të cilën është kryer krimi. Pas i ka dorëzuar provat shkresore, përfaqësuesi i akuzës, ka kërkuar vendosjen e masës së arrestit në burg ndaj 52-vjeçarit. Me këtë kërkesë ka qenë dakord dhe gjykatësi Fatri Islamaj, i cili ka firmosur arrestin në burg për Flamur Brakën. Ky i fundit ka deklaruar se krimin e ka kryer, pasi dy personat e kanë qëlluar me grushte. « Njëri më mbante dhe tjetri më qëllonte dhe më pas nuk mbaj mend se çfarë kam bërë. Di se e kam qëlluar me thikë dhe aq"- ka thënë ai.