Zihet me prindërit, vetëhelmohet me fostoksinë
Fatjon Thaçi, 24-vjeç nga Cerriku, ndodhet në spitalin e Elbasanit jashtë rrezikut për jetën por nën kujdesin e mjekëve
CËRRIK- Një zënkë me prindërit për pak sa nuk i ka kushtuar jetën mëngjesin e djeshëm një 24- vjeçari nga qyteti i Cërrikut. Djali i ri ndodhet në spitalin e qytetit të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve pasi ka gëlltitur qëllimisht një sasi fostoksine. Për fat të mirë, prindërit e Fatjon Thaçit e kanë pikasur këtë gjë dhe menjëherë e kanë dërguar në spital. Burime nga spitali pohuan se gjendja e tij është e rëndë por ka shumë shpresa se do të kalojë rrezikun për jetën.
Mëngjesin e djeshëm policia e qytetit të Cërrikut ka marrë një telefonatë nga spitali ku raportohej rasti i një vetëhelmimi me fostoksinë. Menjëherë hetuesit e policisë lokale kanë shkuar në spital për të mësuar më shumë në lidhje me këtë rast. Nga mjekët ata kanë mësuar se personi që është vetëhelmuar ka arritur që t'i shpëtojë vdekjes. Ai është 24- vjeçari Fatjon Thaçi, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën. Pas kësaj hetuesit kanë marrë në pyetje të afërmit e tij, të cilët kanë shpjeguar çfarë kishte ndodhur atë mëngjes që kishte shtyrë të riun drejt pirjes së helmit. Sipas dëshmisë së prindërve, rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit të djeshëm Fatjon Thaçi është grindur me prindërit e tij por policia ka preferuar që ta mbajë të fshehtë shkakun e sherrit. Por pas grindjes Fatjon Thaçi është mbyllur në dhomën e tij dhe ka konsumuar një sasi fostoksine. Prindërit dhe të afërmit e tjerë kanë dëgjuar rënkimet e djalit dhe menjëherë kanë hyrë në dhomë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ata kanë gjetur kokrrat e fostoksinës dhe menjëherë kanë kuptuar atë që ka ndodhur. Të afërmit kanë transportuar menjëherë të riun në spital ku edhe i është dhënë ndihma e menjëhershme nga ana e mjekëve. Burimet e policisë pohuan se po hetojnë në lidhje me rrethanat e tjera të kësaj ngjarjeje ndërsa mjekët po mbajnë nën vëzhgim konstant gjendjen e 24- vjeçarit.