E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëqeverisja, o piktor!

YLLI DYLGJERI

Një muaj luftë politike në kampin e aleancës së majtë, dhe tashmë kanë filluar shqetësimet serioze se sa kohë do të zgjasë ajo dhe kush humbet nga kjo ndarje?
Merrni frymë thellë zotërinj të PS-së dhe jepini elektoratit të majtë një shans: Kompromisin për pjesëmarrjen në Referendum! ...Pse keni frikë nga Referendumi?
Ju “Dialogun me Shqipërinë” nuk po e bëni me hartën politiko-gjeografike, me popullin po dialogoni. Jepjani ta vendosë Populli. Kujdes: Jo për vete, po për të gjithë. Kushti është vetëm një: Rikthimin në Kushtetutën e votuar nga populli! Vetëqeverisja, o piktor! Përndryshe, marrëdhëniet me publikun do tronditen edhe më tej... Një nga arsyet që nuk më pëlqen të lajmëroj ç’ka pritet, para se të mësoj përfundimet, është se duke vepruar kështu, një udhëheqës rrezikon ta kthejë një votim konsensual në një zhgënjim. Shikoni kalendarin. Data e zgjedhjeve nuk është shumë larg.
Nuk ka asnjë dyshim se pas marrëveshjes së fundit, ekipi i Ramës ka edhe një strategji politike për të fituar një luftë elektorale i vetëm. Megjithatë, shqetësues është dyshimi se: A ka Rama një strategji të marrëdhënieve me publikun për të përballuar një konfrontim të mundshëm me strategjinë që do të përgatisë po kaq seriozisht Aleanca e Majtë, nëse nuk bashkohen për Referendum Popullor? Mediat po na ofrojnë një arsenal të rëndë propagandistik, që është vënë në lëvizje nga kjo Aleancë. Deri tani është servirur për publikun vetëm pjata e parë e kësaj menyje integruese. Me vullnetin “derë më derë”, Aleanca po hyn në çdo familje shqiptare. Dje në shtëpinë time mbërriti edhe letra që Meta ju ka dërguar për reflektim, pas votimit të turpshëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Për shkak të paqëndrueshmërisë të institucioneve politike brenda  PS-së, dobësisë së shoqërisë civile rreth saj dhe pengimit të kreativitetit intelektual, pjesa dërmuese e ithtarëve të majtë po kalon një stanjim të përgjithshëm shoqëror. Shtypi dhe analistët  dukshëm janë pozicionuar pro saj. Media shqiptare, për javë me radhë, e ka shprehur veten me këmbëngulje… edhe pse kjo media nuk flet vetëm në të njëjtën frekuencë, si p.sh. Neës 24. Ajo flet në Top Chanal, Klan, Koha, Ntv, Ora Neës, Tv Arbëria, Vizion Plus etj. Një shumicë dërmuese erdhi në një konkludim të njëjtë: U deformua dhunshëm Kushtetuta! Tentativës së djeshme të kuzhinierit konstitucionalist në PS për të thirrur: ËIN-ËIN në gazetën “Shqip”, iu përgjigjën po shqip, duke i thyer pjatat në fytyrë, analistët e mirënjohur të shtypit, Andrea Stefani dhe Mustafa Nano. Së fundi, edhe parlamentarët socialistë evropianë u shprehën përkrah kësaj Aleance.
Me kalimin e ditëve opinioni i majtë do të dallojë edhe më qartë pasojat politike të kompromisit të ulët Rama-Berisha për ndryshimet kushtetuese. Shumica e heshtur e publikut në vend, e cila deri tani ka ndjekur me vëmendje çdo gjest dinak politikanësh, si në deklaratat në media apo parlament, po ndikohet për mospjesëmarrje e bojkot përkrah tyre. Problemet shoqërore janë përditë e më të mëdha dhe truri i tyre politik po tregohet i vogël për t’i zgjidhur. Po kështu duket edhe reagimi i brezit të ri. Deri më sot ky brez po e sheh politikën në përgjithësi dhe atë PD-PS jo si një shembull për t’u ndjekur. Aleanca e Majtë po fiton mjaft terren dhe po konturohet çdo ditë si Poli i Ri politik opozitar në vend. Opozitë sot, ndaj të keqes Rama-Berisha, po bën bindshëm vetëm kjo Aleancë. Nuk është gjë e vogël të fitosh një luftë në marrëdhëniet publike kundër dy bashkëpunëtorëve pushtetmbajtës Berisha-Rama. Deri dje e zotëronin PR (public realition) nga forca e pushtetit dhe klientelizmit. Sot e kanë humbur atë nga korrupsioni i pushtetit.
Sondazhet po i zbardh çdo ditë publiku, jo fytyrat e verdha që dalin çdo ditë mundimshëm ekraneve të TV-ve. Po, pikërisht kjo ka ndodhur muajin e fundit. Ka fituar dukshëm forca e argumentit e gazetarëve, analistëve dhe politikanëve të Aleancës së Majtë. Politikani varet nga shtypi. Jeton nën presionin e tij. Aq më tepër kur shkrimit i shtohet forca e efektit të imazhit. Pra, ka humbur produkti shumicë që fitoi nga marrëveshja politike për ndryshimin e Kushtetutës.
Ka fituar një ideal socialist që mund të harmonizojë besimin, bashkimin dhe suksesin e një elektorati të zhgënjyer. Kjo është ajo që nuk po kupton ende ky duet i tronditur nga korrupsioni dhe mungesa e transparencës. Ka fituar terren përfaqësimi votuesi i majtë, i braktisur dhe lënë në mes të katër rrugëve nga llogaritë meskine të politikëbërësve demagogë. Ka fituar guximi dhe po humb frika. Ka fituar fjala e lirë kundër memecerisë me imunitet parlamentar. Ka fituar liria kundër kërcënimit të demokracisë për integrimin evropian.   
Përfundimi: Politikanë të PS-së, nuk mund ta fitoni luftën e marrëdhënieve me publikun me pseudoargumente, me sofizma banalë, apo duke zgjedhur si aleat kundërshtarin politik, që ka frikë nga e ardhmja evropiane. Zoti na shpëtoftë nga joekspertët që na ofruan këtë mostër me emrin Kushtetutë!   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›