Teori të reja për vrasjen e Kennedyt

Në një letër të sapo zbuluar të shkruar nga Presidenti i SHBA-së, John F.Kennedy, drejtuar shefit të CIA-s, shihet se si presidenti i kishte kërkuar shefit të shërbimit sekret që t’i tregonte disa dokumente tepër të besueshme për UFO-t.
Kjo kërkesë është bërë 10 ditë para se Kennedy të vritej në Dallas. Shkresa sekrete është një nga dy letrat e Kennedyt, në të cilat ai kërkon informacion në lidhje me fenomenet paranormale, të cilat u publikuan nga CIA për herë të parë.
Interesi i Presidentit për UFO-t, pak para vdekjes së tij, ka shumë të ngjarë që të ushqejë shumë teori konspirative në lidhje me vrasjen e tij.
Studiuesit e jetës jashtëtokësore thonë se dokumentet e fundit që CIA ia ka dhënë studiuesit shtojnë mundësinë se presidenti amerikan mund të jetë vrarë, për të mos e lënë që të zbulonte të vërtetën për UFO-t.
Në një shkresë të dytë, dërguar administratorit të NASA-s, presidenti shpreh dëshirën për të bashkëpunuar me Bashkimin Sovjetik në lidhje me aktivitet e përbashkëta hapësinore.
Dokumentet e mësipërme, të cilat kanë qenë sekrete deri në publikimin e tyre, janë publikuar në bazë të Ligjit të Informimit dhe i janë dhënë William Leser, si pjesë e një kërkimi për një libër të ri për Kennedyn.
Ai tha se interesi i Kennedyt për UFO-t mund të ketë nxitur shqetësime për marrëdhëniet e tij me Bashkimin Sovjetik.
“Një nga shqetësimet e Kennedyt ka qenë se shumë UFO janë vënë re në atë kohë në qiejt e Bashkimit Sovjetik dhe presidenti amerikan ishte shumë i shqetësuar se mos sovjetikët i interpretonin këto shfaqje si një formë agresioni e amerikanëve”, thotë studiuesi.