E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, djali i kryeplakut të fshatit Luzat, gjendet i pajetë

Një i ri nga fshati Luzat i Tepelenës, është gjetur i pajetë mëngjesin e së shtunës në parkun Natyral të Ujit të Ftohtë në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë. Shtetasi Mikel Shatrafili 31 vjeç, i biri i kryeplakut të fshatit Luzat, Bashkim Shatrafili, 5 km në të hyrë të Tepelenës, sipas shitësve dhe tregtarëve ambulantë në këtë zonë, punonte në lokalin e tij fare pranë rrugës nacionale prej më tepër së tre vitesh. Ai është gjetur i vdekur rreth orës 08.30 të mëngjesit të së shtunës nga një shok i tij, i cili menjëherë sapo ka parë se miku i tij nuk reagonte nga prekjet fizike dhe të folurat, nën frikën e madhe ka lajmëruar uniformat blu, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Tepelenës, pohuan për gazetën SOT , se në vendngjarje përveç uniformave blu, mbërritën edhe ekspertët e kriminalistikës të cilët kanë punuar për të zbardhur të plotë shkakun e vdekjes. Nga këqyrja paraprake, që i është bërë trupit të pajetë të 31-vjeçarit, mendohet se kemi të bëjmë me një vdekje natyrale, pasi nuk është gjetur asnjë shenjë e dyshimtë-është shprehur njëri prej specialistëve të kriminalistikës. Megjithatë sipas tij do të jetë autopsia ajo që do të vërtetojë gjithçka shkakun e vdekjes natyrale. Tregtarët ambulantë në këtë zonë, kanë mohuar ekzistencën e një konflikti mes viktimës dhe personave të tjerë gjatë ditëve të fundit. Ata kanë shprehur tone pozitive për të riun, i cili madje nuk kishte shfaqur as shenja sëmundjeje. Viktima ka qenë një ndër personat që kanë ndihmuar familjet në fshatin Luzat, të cilat u dëmtuan nga rënia e tërmetit shkatërrues në qershorin e 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›