Tepelenë, persona civilë rrahin të ndaluarin brenda në komisariat
Një 49-vjeçar nga Gjirokastra është rrahur barbarisht në dhomat e Komisariatit të Tepelenës nga një oficer i policisë së këtij qyteti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, kur Bexhet Serjani, pasi është rrahur në qendër të qytetit nga një oficer policie dhe vëllezërit e tij civilë, është dhunuar edhe brenda mjediseve të komisariatit të policisë, si dhe repartin e urgjencave të spitalit të këtij qyteti, në prani të policëve të grupit të gatshëm. Një debat ordiner, i nisur fillimisht me fjalë mes gjirokastritit dhe oficerit të policisë, Argjir Çela, me detyrë komandat policie, ka përfunduar në dhunë çnjerëzore ndaj qytetarit Serjani. Mësohet se shkak ka qenë bllokimi dhe sekuestrimi i kamionit në pronësi të 49-vjeçarit disa muaj më parë. Përballja e tyre në një nga lokalet në qendër të Tepelenës ka bërë që debati mes tyre të rinisë dhe pas ofendimeve reciproke është kaluar në përplasje fizike. Qytetari i dhunuar pretendon se në rrahje e sipër, oficeri i policisë, Argjir Çela, ka nxjerrë edhe pistoletën e shërbimit, por pa mundur ta shkrehë, pasi është penguar nga disa qytetarë që ndodheshin të pranishëm në vendngjarje. Brenda pak minutash ka mbërritur grupi i gatshëm i Komisariatit të policisë në Tepelenë, të cilët kanë bërë shoqërimin për në komisariat të 49-vjeçarit. Pretendohet se paralelisht me fugonin e policisë, në mjediset e komisariatit kanë mbërritur edhe oficeri i policisë, Argjir Çela, i shoqëruar nga një grup civilësh, vëllezër dhe të afërm të tij, të cilët kanë vazhduar ta qëllojnë të ndaluarin me grushte, shkelma, shkopinj gome dhe këmbë karrigeje në mjediset e komisariatit dhe dhomat e paraburgimit. Kur i ndaluari ka humbur plotësisht ndjenjat, policët e grupit të gatshëm e kanë dërguar për në urgjencën e spitalit të Tepelenës. Sipas burimeve nga spitali i qytetit, grupi i personave që e kishte rrahur në komisariat ka mbërritur edhe në spital dhe kanë vazhduar rrahjen e personit të ndaluar Serjani, në prezencë të policëve të grupit të gatshëm. Në këto rrethana, me urdhër të shefit të Komisariatit të Tepelenës, Agron Meçe, Serjani është nisur me autoambulancë për në spitalin rajonal të Gjirokastrës, por në momentin kur autoambulanca ku ndodhej Serjani ishte duke kaluar para hyrjes së komisariatit të policisë, mjeti është ndaluar përsëri nga oficeri Argjir Çela dhe grupi i të afërmve të tij dhe kanë rinisur të shkëmbejnë fjalë dhe goditje me të ndaluarin. Oficeri Çela ka rinxjerrë për herë të dytë pistoletën dhe ka dalë para autoambulancës. Vetëm ndërhyrja e shefit të komisariatit, Agron Meçe, dhe oficerit të policisë së këtij komisariati, Bilbil Makri, e ka parandaluar kolegun Argjir Çela të shkrehë armën. Në këto momente acarimi të situatës, oficeri Argjir Çela ka goditur edhe vëllain e 49-vjeçarit (me profesion gazetar) që sapo kishte mbërritur nga Gjirokastra për t‘u interesuar për fatin e të afërmit të tij. Pas goditjes së parë nga vetë oficeri i policisë Argjir Çela, mbi të vëllain e viktimës, të afërmit e oficerit kanë vazhduar dhunën fizike, duke e shtrirë në tokë në trotuarin para derës së komisariatit dhe kanë vazhduar ta godasin me shkelma në trup, gjymtyrë dhe kokë. Një ditë më pas, dy të dhunuarit i janë drejtuar prokurorisë, ku kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre. Mësohet se pas kallëzimit është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe përfshirjen e oficerit të policisë dhe të personave të tjerë civilë. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, i kontaktuar nga gazeta "Shqip", ka deklaruar: "Sapo është bërë kallëzimi, drejtori i policisë së qarkut, Arben Hyseni, ka dërguar menjëherë një grup ekspertësh në Komisariatin e Tepelenës, ndërsa oficeri i policisë, Argjir Çela është pezulluar përkohësisht nga detyra, deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë që SHKB-ja e drejtorisë së qarkut paralelisht me prokurorinë e rrethit kanë nisur procedurat dhe po hetojnë në lidhje me ngjarjen". I pyetur për praninë e personave civilë në ambientet e komisariatit, zëdhënësi Mullai ka deklaruar se kjo mund të vërtetohet vetëm pas përfundimeve të hetimeve dhe nxjerrjes së konkluzioneve nga grupi i ngritur për këtë çështje. Ndërkohë, 49-vjeçari Serjani vazhdon të mjekohet në gjendje të rëndë shëndetësore në repartin e kirurgjisë të spitalit rajonal të Gjirokastrës.