Gërdeci, të pandehurit kryesorë kërkojnë gjykim të shkurtuar
Gjykim i shkurtuar ka qenë kërkesa e tre të pandehurve kryesorë të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, mbrojtësi i të akuzuarit Ylli Pinarit, ai i Mihal Delijorgjit dhe ai i Dritan Minxollit u shprehën përpara trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Ritvan Hado, se klientët e tyre pranonin aktet e paraqitura nga Prokuroria.
Ndërkohë të pandehurit e tjerë nëpërmjet avokatëve të tyre kërkuan pafajësinë ndaj akuzave të ngritura. Asnjë prej të pandehurve nuk kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, me përjashtim të Sokol Ngjecit.
Avokati Maks Haxhia që mbron interesat e të pandehurit Delijorgji, tha se klienti i tij ka pranuar të gjykohet në bazë të akteve që ndodhen në dosje, për të pasur një gjykim të përshpejtuar dhe klientit të tij t’i vihet në dispozicion lista e dëshmitarëve që ka kërkuar organi i prokurorisë në gjykatë, pasi në ambientet e burgut nuk ka kushte. Gjatë seancës së djeshme, Vladimir Bineri, avokati i të pandehurit Pinari, në kërkesat e tij paraprake i ka bërë të ditur trupit gjykues se klienti i tij pranon çdo akt në dosje dhe dëshiron të vazhdojë shkurtimisht.
Ndërsa, avokati i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i kërkoi gjykatës edhe disa ditë kohë për t’u njohur me dosjen, pasi i nevojitet kohë për ta studiuar dhe përfaqësuar klientin e tij. Avokati i Sokol Ngjeçit deklaroi dje se krahas viktimave të tragjedisë, drejtësia nuk duhet të krijojë “viktima të drejtësisë”. Ai i quajti të pavërteta akuzat e ngritura nga prokuroria për klientin e tij. Sipas tij, Ngjeçi ka qenë në kompaninë e shitblerjeve të armëve MEICO me detyrën e specialistit të marketingut. Sipas tij, paga neto e klientit ka qenë 30 mijë lekë në muaj dhe s’kishe të drejtë të merrte dhe të largonte njerëzit nga puna. Avokati i të pandehurit Shkëlzen Madani është shprehur përpara trupit gjykues se klienti i tij është i pafajshëm. Sipas Betit, nuk duhet marrë i pandehur personi që ka zbatuar urdhrin, por personi që e ka dhënë atë urdhër. Pafajësia është deklaruar edhe nga ana e avokatëve të të pandehurve të tjerë që ishin prezentë në seancë. Avokati Vladimir Meçi dhe Andi Meçi, që mbrojnë të pandehurin Ardian Mullai, e kanë përjashtuar klientin e tyre nga akuza. Sipas tyre, Mullai është i pafajshëm.