E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqen maqedonasit, enciklopedia do të korrigjohet



Akademikët maqedonas do të korrigjojnë enciklopedinë. Vendimi u mor dje nga anëtarët e stafit të "Enciklopedisë së Maqedonisë", në një takim të zgjeruar në Akademinë e Shkencave. Në takim u vendos të korrigjohen disa përcaktime në publikimin e botimit të parë dhe të vazhdohet të punohet me botimin e dytë, të ndryshuar dhe të plotësuar. “U arrit në përfundimin që të informohet opinioni publik se do të bëhen disa përmirësime të caktuara në disa përcaktime dhe do të vazhdojë puna në botimin e dytë, të ndryshuar”, - thuhet në deklaratën e Qendrës Leksikografike të Akademisë. "Në takimin e sotëm të redaksisë u diskutuan reagimet e partive politike, shoqatave qeveritare dhe individëve lidhur me publikimin e enciklopedisë maqedonase. Informohet opinioni se do të bëhen disa korrigjime të caktuara, në disa njësi dhe do të vazhdojë puna për botimin e dytë të ndryshuar dhe të plotësuar", - thuhet në komunikatën e redaksisë së Enciklopedisë. Kryetari i Akademisë, Georgi Stardellov, ka pranuar se shqiptarët janë fyer me këtë enciklopedi. “Bëhet fjalë për një ofendim të caktuar ndaj bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni dhe besoj se kjo njësi do të korrigjohet. Besoj se njësitë kontestuese nuk do të hiqen tërësisht nga Enciklopedia, por do të korrigjohen ose eliminohen disa të dhëna të panevojshme që aq shumë ndoshta me të drejtë i rrëqeth qytetarët tanë shqiptarë”, - ka deklaruar Stardellov. Enciklopedia e parë kombëtare u promovua të mërkurën e kaluar, botuar me financimin e qeverisë, pas punës disavjeçare të Qendrës Leksikografike dhe të rreth 260 bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e redaktorit kryesor, akademikut Blazhe Ristovski. “Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria Veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre”. “Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë Perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz malorë...”. Këto janë vetëm disa pjesë të shkëputura për shqiptarët nga Enciklopedia e re maqedonase, e botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, e që ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e qarqeve të ndryshme shqiptare në Maqedoni, por jo vetëm.

Heqja nga qarkullimi u kërkua nga akademikët, studiuesit dhe historianët shqiptarë, të cilët e dënuan veprën si të turpshme, duke e konsideruar atë një provokacion politik maqedonas ndaj shqiptarëve dhe historisë së tyre.

Edhe intelektualë maqedonas, kundër përmbajtjes së enciklopedisë

Edhe intelektualët maqedonas kanë shprehur reagimet e tyre kundër enciklopedisë maqedonase të botuar nga Akademia e Shkencave të këtij vendi. Profesori universitar, Vllado Popovski, doktor i shkencave të Historisë, autor i disa botimeve shkencore, historike dhe jurist i njohur, në një intervistë për BBC-në thotë se Akademia e Shkencave duhet të tërheqë enciklopedinë. “Nëse Akademia nuk e bën këtë gjë, atëherë ajo duhet të izolohet”, - thotë z. Popovski. Ai tha se “të dhënat për emrin "Shqiptar" janë që në shekullin e dytë para epokës sonë, më vonë ndeshen edhe në mesjetë, në shekullin e 11-të dhe 12-të si "Arbanon", "Arbanas" dhe deri më sot. Gjithë bota, në të gjitha botimet, dokumente dhe literaturë vendin e quajnë "Albania" dhe njerëzit "Albanezë".

Për shembull edhe grekët e quajnë ndryshe veten dhe ndryshe i thërret bota. "Elenë" dhe "Grekë". Në Enciklopedi, besoj se grekët janë cilësuar siç njihen në gjithë botën; kjo do të thotë se nuk janë përdorur standarde të njëjta kur janë përshkruar shqiptarët. Anëtarët e redaksisë së Enciklopedisë e dinë, nuk mund të mos e dinë, se përdorimi i fjalës "shqiptari", në Ballkan, sidomos në Serbi dhe Maqedoni sjell fyerje. Kjo sepse përdorimi i kësaj fjale, nga ana e serbëve dhe maqedonasve ka sjellë një dozë domethënieje pezhorative”.

Hashim Thaçi: Enciklopedia, e ngjashme me atë serbe

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar enciklopedinë maqedonase të ngjashme me një enciklopedi të botuar nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencës.

Sipas Kryeministrit Thaçi, faktet e paraqitura në enciklopedi janë tipike të një tendencë në Maqedoni që ka si synim acarimin e tensioneve ndëretnike. "Ne nuk duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë në mendjet e njerëzve që kanë një mentalitet të shekullit të kaluar që nuk është i ndryshëm nga ai serb", - theksoi Thaçi. Ai shtoi se të gjitha vendet në rajon nuk duhet të diskriminojnë njëri-tjetrin, por duhet të përqendrohen më tepër drejt integrimit në Bashkimin Evropian. "Ne duhet të shikojmë të ardhmen, ne duhet të shohim drejt perspektivës tonë evropiane", - tha Thaçi. Enciklopedia maqedonase e publikuar javën e kaluar në Shkup, fyhen historinë e shqiptarëve dhe i përshkruan ata si "njerëz mali" dhe ardhacakë në Maqedoni. Veç fakteve për shqiptarët, ku përshkruhen si njerëz mali dhe ku sugjerohet se është ushtruar dhunë dhe janë dëbuar maqedonasit nga shqiptarët në shekullin XVI, kur kanë filluar të popullojnë trevat e Maqedonisë, për UÇK-në thotë se është stërvitur nga ushtarë të njësiteve speciale britanike SAS dhe oficerë të ushtrisë amerikane. Kjo enciklopedi e përshkruan Ali Ahmetin, ish-liderin e UÇK-së, tashmë kryetar të BDI-së, si të akuzuar për krime lufte, ndërkohë që nuk ka një padi të tillë. Enciklopedia nuk tregon identitetin shqiptar të Nënës Terezës, ndërsa ka fakte të shtrembëruara edhe për Skënderbeun. Partitë shqiptare në Maqedoni vlerësojnë se enciklopedia maqedonase është goditje e rëndë mbi karakterin multietnik të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›