E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken "zbuluesit" e skemave piramidale

Katër ish-anëtarët e grupit mbikëqyrës të firmave piramidale "zhduken" nga banesa. Prokuroria e Tiranës deklaron se të pandehurit nuk gjenden në banesa. Fletëthirrjet e shumta në drejtim të tyre janë kthyer mbrapsht, duke u firmosur nga familjarët e tyre. "Nuk gjenden në shtëpi. Nuk e dimë vendndodhjen e tyre", është përgjigjja, e cila është shkruar në fletëthirrje. Të gjendur në këtë situatë, hetuesit e çështjes kanë firmosur akuzat ndaj tyre për "favorizim i personave të ndryshëm, të cilët duhet të kthenin shuma të konsiderueshme, borxhlinjtë e kompanive rentiere dhe shkelje të tjera".

Verifikime në dogana

Hetues të task-forcës kundër krimit ekonomiko-financiar në Prokurorinë e Tiranës thanë dje se po verifikojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qellim identifikimin e vendndodhjes së tyre. Por hetuesit e çështjes kanë dyshime se të pandehurit kanë lënë Shqipërinë pas vitit 2005, kur është kryer edhe vepra penale. Gjithsesi, burimet thanë se ende nuk është vendosur prerja e fletë-arresteve dhe shpalljes së tyre në kërkim ndërkombëtar, megjithëse akuzat ndaj tyre janë kopsitur. Sipas prokurorisë, dy ish-anëtarët e grupit mbikëqyrës të skemave piramidale akuzohen se kanë përjashtuar 2000 debitorë në listat e borxhlinjve. Hetues të çështjes deklarojnë se heqja e debitorëve i ka sjellë një dëm miliona euro shtetit shqiptar. Hetimet kanë konstatuar elementë të veprës penale në dosjen në ngarkim të ish-grupit mbikëqyrës të firmave piramidale, i kryesuar nga Farudin Arapit. Dosja e prokurorisë, që pritet të shkojë në gjykatë, përmban listat e mijëra debitorëve, që janë hequr nga listat e firmave rentiere. Emrat e tyre pritet të lexohen gjatë seancave gjyqësore kundër dy ish-zyrtarëve të grupit mbikëqyrës në skemat piramidale. Prokuroria thotë se ata kanë favorizuar kompani dhe individë me abuzime disa dhjetëra milionë dollarë.

4 të zhdukur

Katër ish-zyrtarë të grupit mbikëqyrës të firmave piramidale, në kohën kur drejtohej nga Farudin Arapi, që do të përballen në gjykatë me akuzat e favorizimit të 2000 debitorëve për fshehjen e emrit të tyre nga listat dhe të favorizimit të subjekteve private për blerjen e trojeve me çmime qesharake, konsiderohen të "arratisur" nga prokuroria. Në mungesë të tyre, hetimi është kryer në mungesë. I njëjti status pritet t‘u jepet edhe në gjykatë, ku gjykimi do të kryhet në mungesë të tyre. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën se, nëse të pandehurit do të dënohen nga Shkalla e Parë, atëherë në drejtim të tyre do të priten fletë-arrestet. Në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj ish-anëtarëve të grupit mbikëqyrës të skemave piramidale është heqja e debitorëve nga lista e borxhlinjve. Sipas burimeve, të gjithë debitorët që kishin më shumë se 10 milionë lekë (të vjetra) dispononin një akt noterial për shumën përkatëse. Ndërsa personat që merrnin më pak se 10 milionë, shuma shkruhej në librezë. Por shuma e vendosur në librezë nuk mund të konsiderohet si borxh nga grupi mbikëqyrës, pasi nuk ishte dokument zyrtar. Ndërsa marrja e "kredisë" me akt noterial ishte një dokument i vlefshëm për të përcaktuar të gjithë shumën e marrë. Por "loja" e zyrtarëve të grupit mbikëqyrës të firmave piramidale konsistonte se borxhlinjtë që kishin marrë më shumë se 10 milionë lekë janë futur në listat e borxhlinjve të vegjël. Në këtë mënyrë ata nuk mund të kthenin shumën përkatëse, pasi libreza e shënuar nuk mund të konsiderohej si provë. Prokuroria tha se ka evidentuar të gjithë skemën e abuzimet, duke vënë nën akuzë dy persona, të cilët do të gjykohen në gjendje të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›