Ripyeten punëtorët për trafikun e municioneve

TIRANË - Dyshimi se punishtja e Gërdecit krahas procesit të demontimit mund të jetë përdorur edhe si mbulesë për trafikun e armëve dhe municioneve, është pista që po u merr pjesën të më madhe të punës 16 hetuesve dhe prokurorëve që po hetojnë këtë çështje. Pas sekuestrimit të dokumentacionit dhe verifikimeve në pikat doganore, hetimi është kthyer sërish në pikën fillestare, pasi gjithçka rezultoi të ishte juridikisht “e kopsitur” në mënyrën më të mirë të mundshme. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se aktualisht, grupi hetimor është përqendruar në dëshmitë e punëtorëve. Lista prej 120 punonjësish që kryenin çdo ditë demontimin, apo ashtu siç dyshohet, edhe paketimin e fishekëve e predhave, po i nënshtrohen sërish marrjes në pyetje, por tashmë nga oficerët e Prokurorisë për Krime të Rënda. Listës së dëshmitarëve nuk i shpëtoi as Uran Deliu, një nga ish-punëtorët e Gërdecit, i cili mësohet se dha sërish dëshminë e tij rreth punës dhe veprimtarisë që kryhej në ish-repartin e tankeve. Pasi kanë dhënë dëshminë e tyre rreth procesit që kryhej në punishten e Delijorgjit dhe çasteve që kthyen në rrënoja fshatin Gërdec, punëtorët tashmë do të mundohen të rikujtojnë të gjithë detajet e mundshme rreth një trafiku të mundshëm municionesh nëpërmjet Gërdecit. Sikur të mos ishte gjetur blloku i inventarit të fabrikës, ku përkatësisht tregohej edhe sasia e municioneve që paketohej, prokuroria do të kishte hequr dorë prej kohësh nga dyshimet për trafik. Por megjithëse me një të dhënë të tillë në dorë, aktualisht gjithçka në shërbim të kësaj piste është në një “pikë të vdekur”, pasi dokumentacioni i shitjes së municioneve jashtë Shqipërisë është tërësisht i rregullt. Një fakt i tillë është vërtetuar tashmë nga baza ushtarake e Rinasit, ku për disa ditë me radhë hetuesit kanë kryer verifikime rreth nisjes së avionëve të ngarkuar me municione për llogari të Diverolit. Nga dokumentacioni i sekuestruar doli në pah, se sasia e municioneve me destinacion Afganistanin ishte e njëjtë me sasinë e dalë nga depot e ushtrisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për dyshim. Burime pranë organit të akuzës thanë se grupi hetimor është i vendosur t’i shkojë deri në fund hetimit të kësaj piste, pavarësisht vështirësive dhe rezultateve jo shumë frytdhënëse të arritura deri tani. Një nga provat që i nxit hetuesit të vazhdojnë në këtë pistë, janë kontratat që ndërmarrja “Meico” kishte me kompani të tjera, veç atyre të demontimit. Kjo provë është ende në fazën e verifikimit, por sipas hetuesve, për përmbushjen e këtyre kontratave mund të jetë përdorur Gërdeci. Pikërisht rreth këtij fakti, punëtorët e ish-punishtes së demontimit do të dëshmojnë sërish në prokurori, jo më për mënyrën sesi ndodhi ngjarja, por për hyrje-daljet e ngarkesave të municioneve dhe skrapit nga fabrika e vdekjes.
Pezull hetimet për Mediun
Katër ditë pasi Kuvendi votoi pro heqjes së imunitetit për kreun e republikanëve, Fatmir Mediun, prokuroria ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për hetimin e tij. Burime pranë grupit hetimor konfirmuan faktin se ende nuk kanë nisur nga puna për hetimin e Mediut, pasi janë në fazë përgatitore. Mësohet se grupi hetimor po përgatit kërkesat zyrtare, të cilat do t’u dërgohen bankave në nivelit të dytë dhe zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të marrë informacion rreth aseteve që posedon ish-ministri i Mbrojtjes. Të njëjtat burime thanë se pas përfundimit të fazës përgatitore, do të nisin edhe veprimet konkrete në terren, për të çuar deri në fund hetimin ndaj Fatmir Mediut, fakt i cili u konfirmua pak ditë më parë edhe nga kryeprokurorja Ina Rama, e cila tha se do të ndiqen të gjitha procedurat që parashikon ligji.