E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjaftueshmëria e veshkave, 1000 shqiptarë të sëmurë

Rreth dyqind prej pacientëve të prekur nga kjo sëmundje i nënshtrohen hemodializës. Insuficienca renale nuk ka kurim, sepse veshka ka pësuar një dëmtim kronik të pakthyeshëm. Ja simptomat për ta kuptuar nga se vuani, për të mos arritur tek dializa apo transplanti

TIRANË - Sëmundja e veshkave është një nga problemet më shqetësuese që haset sot tek shqiptarët. Në shumëllojshmërinë e sëmundjeve që prekin organin e veshkave, më shqetësuesja dhe që ka numrin më të madh të të prekurve është insuficienca renale, ose pamjaftueshmëria e veshkave për të kryer funksionin e saj. Në Shqipëri ka një mijë persona të prekur nga kjo sëmundje, dyqind prej të cilëve i nënshtrohen hemodializës. Mjekja nefrologe në pavijonin përkatës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kloedina Bratja, tregoi për “Korrierin” shkaqet dhe simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje. “Shkaqet e sëmundjes së insuficiencës renale janë në varësi të sëmundjeve të tjera”, sqaroi Bratja. Sipas saj, më kryesorët janë diabeti, ose ndryshe nekropatia diabetike, polonefritet kronike, glomonofritet kronike dhe hipertensioni arterial. Ndërsa për sa u përket simptomave të para të kësaj sëmundjeje, mjekja shpjegoi se bëhet fjalë për “nipturinë ose urinimin gjatë natës, e cila është një shenjë shumë e rëndësishme që tregon pafuqinë e veshkës për t’i nxjerrë gjatë ditës produktet e dëmshme organike”. Simptoma të tjera janë dobësia e përgjithshme, lodhja dhe anoreksia. “Anemia është një komplikacion që shfaqet në varësi të kësaj sëmundjeje, sepse retripoetina, hormoni kryesor që ndihmon në prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, prodhohet në veshkë. “Me dëmtimin e veshkës dëmtohet edhe prodhimi i retripoetinës, duke shkaktuar pakësimin e rruazave të kuqe që shkaktojnë aneminë dhe hipertensionin”, tha Bratja. Shenja të tjera janë infeksionet e shpeshta, edemat, poliuria, ose urinimi i shpeshtë gjatë ditës dhe natës, ndërsa me kalimin e kohës mund të shfaqet edhe oliguria, që është urinimi i pakët. “Kjo tregon se dëmtimi i veshkës ka arritur në stade shumë të avancuara”, sqaroi Bratja. Ndërsa për mjekimin e kësaj sëmundjeje, Bratja thotë se “ai është vetëm simptomatik, pra thjesht mjekohen simptomat e saj, pasi është një sëmundje që nuk ka kurim, sepse veshka ka pësuar një dëmtim kronik të pakthyeshëm”. Mjekimi i vetëm dhe më efikas është hemodializa, ose veshka artificiale. Pacienti duhet të bëjë hemodializë tri herë në javë nga katër orë, për të bërë pastrimin e organizmit nëpërmjet një aparati që luan rolin e veshkës. Hemodializës nuk i nënshtrohen të gjithë pacientët e prekur nga insuficienca renale, pas sëmundja ndahet në katër stade dhe vetëm të sëmurët e stadit të katërt, që quhet ndryshe edhe stadi terminal, i nënshtrohen hemodializës. Për parandalimin e komplikacioneve dhe avancimin e kësaj sëmundjeje, mjekja këshilloi që të bëhen kontrolle të herëpashershme të nivelit të azotit dhe kreatit, të cilët janë dy treguesit kryesorë. Shumë e rëndësishme është edhe mjekimi sa më mirë i hipertensionit, që është komplikacion i insuficiencës renale dhe anemia. E rëndësishme gjithashtu është edhe dieta, e cila duhet të jetë në përgjithësi dietë me kufizim të proteinave, sepse luajnë rol në progresionin e insuficiencës renale kronike, si edhe një dietë me sa më pak kripë për të ndaluar edemat. Ndalohen gjithashtu edhe yndyrat, duhani dhe alkooli.

Ja shenjat dhe sëmundjet ndihmëse

Sipas nefrologes Kloedina Bratja, sëmundjet më tipike që ndihmojnë në insuficiencën renale janë diabeti, ose ndryshe nekropatia diabetike, polonefritet kronike, glomonofritet kronike dhe hipertensioni arterial. Për sa u përket simptomave të para të kësaj sëmundjeje, mjekja shpjegoi se bëhet fjalë për “nipturinë ose urinimin gjatë natës, e cila është një shenjë shumë e rëndësishme që tregon pafuqinë e veshkës për t’i nxjerrë gjatë ditës produktet e dëmshme organike”. Simptoma të tjera janë dobësia e përgjithshme, lodhja dhe anoreksia. Kini kujdes, pasi nëse urinimi është shumë i paktë, sëmundja është në stadin më të përparuar të saj. Për parandalimin e komplikacioneve dhe avancimin e kësaj sëmundjeje, mjekja këshilloi që të bëhen kontrolle të herëpashershme të nivelit të azotit dhe kreatit, të cilët janë dy treguesit kryesorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›