Tërmet te Reno, ikin Briatore dhe Simonds
Renault largon nga detyra drejtuesin e skuadrës në Formula 1, Flavio Briatoren dhe shefin e inxhinierëve, Pat Simonds. Lajmi është konfirmuar nëpërmjet një deklarate për shtyp nga skuderia franceze. Aty shkruhej: "Skuadra Ing Renault F1 nuk do t‘i kontestojë akuzat e FIA-s rreth aksidentit të ‘sajuar‘ të pilotit Nelsinjo Pike, në Çmimin e Madh të Singaporit në vitin 2008, ky synohej favorizimi i Fernando Alonsos". Ndërkohë, më 21 shtator në Paris do të mblidhet Këshilli Botëror, i cili do të shqyrtojë skandalin e fundit në Formula 1 dhe pritet të marrë një vendim. Praktikisht, vendimi për të mos i kundërshtuar akuzat e ish-pilotit dhe të Federatës Ndërkombëtare, është njësoj sikur Reno pranon se është fajtore.