E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona spektakolare ndalet në murin e Interit

Barcelona është spektakolare. Improvizon në çdo çast rrezik, një pasim më shumë kur nuk e pret. Kontrollon gjithë ndeshjen me një lojë shumë të shpejtë me kombinime të sakta. Interi duket gjithnjë një hap prapa. Më pak i bukur, më pak i shpejtë, më pak i saktë. Barcelona ka bërë gjithçka në "San Siro‘ kundër Interit por i ka munguar vetëm goli. Portieri Julio Çezar ka qenë një nga më të mirët për italianët, i kërcënuar shumë herë nga Mesi, Ibrahimoviç, Keita dhe Henri. Interi duket shumë i përkushtuar për detyrat taktike, ku udhëzimet e trajnerit Hoze Murinjo ishin për të bllokuar lojën teknike të katalanasve dhe për t‘i imponuar manovra fizike. Gjatë gjithë takimit, portieri Valdes është rrezikuar vetëm një herë me Militon, i cili ka krijuar edhe rastin e vetëm të një Interi të detyruar të mbrohet, pasi Barcelona i ka fshehur topin për shumë minuta dhe një gjë të tillë e ka bërë shpesh. Por mbrojtja e Interit është e pakalueshme. Ndërkohë që ndeshja tjetër e Grupit F ka dhuruar gola dhe një fitore me përmbysje për vendasit e Dinamos së Kievit ndaj kampionëve të Rusisë, Rubin Kazan me rezultatin 3-1. Ukrainas pësuan një gol në minutën e 25 të pjesës së parë, të cilën e përmbysën me tre gola në të dytën. Në Grupin E, Liverpuli merr 3 pikë të rëndësishme ndaj Debreçenit, për të cilat i falet këmbëve të Kajt. Ndërsa Fiorentina, me 1 lojtar më pak pas kartonit të kuq për Xhilardinon në pjesën e parë, mundet 1-0 në Lion. Sevilja e ka të lehtë të marrë një fitore 2-0 ndaj hungarezëve të Unireas. Ndërsa Shtutgart e Rejnxhërs ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1. Olimpiakos koleksionon tri pikët e para, pasi ka mundur me rezultat të ngushtë 1-0 holandezët e Az Alkmarit. Goli i vetëm i grekëve mban firmën e Torosidis. Arsenali vuan shumë për të marrë një fitore 2-3 në Belgjikë ndaj Standard Liezhit. Pas vetëm pesë minutash lojë, anglezët e kanë parë veten në dizavantazh të dy golave. Djemtë e Vengerit këmbëngulin dhe arrijnë të përmbysin gjithçka me një gol të Bendtner në minutën e 45 dhe Vermalen e Eduardo përkatësisht në 77‘ dhe 81.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›