Pipo Inzagi: Argëtohem, prandaj vazhdoj të shënoj
"Cili është sekreti im? Ndoshta është leximi i të gjithë formacioneve, të argëtohem disi dhe të jem gjithnjë i gatshëm kur është momenti i duhur". Pipo Inzagi, autori i një dopjete vendimtare kundër Olimpikut të Marsejës në ndeshjen e së martës për Champions League, e shpjegon sekretin e jetëgjatësisë dhe të nuhatjes së tij të jashtëzakonshme për të shënuar gol. "Ka qenë vërtet një natë e pabesueshme për mua, rrëfen sulmuesi i kuqezinjve. Zakonisht besoj gjithmonë, por në këtë mbrëmje (të martën) kisha paksa frikë, ngaqë kishte disa kohë që nuk luaja si titullar". "Unë stërvitem që të jem gjithmonë gati, sepse në moshën time këto janë net të pabesueshme, të cilat shprehin dëshirën e madhe për futbollin, për të qenë gjithmonë pranë tij. Një mbrëmje e jashtëzakonshme, për mua ishte një kënaqësi e madhe, sepse riktheheshim në Champions pas një viti mungesë". Në lidhje me golin e parë, të dyshuar për pozicion jashtë loje, Super Pipo, e pret shkurt: "Ndonjëherë më kanë hequr edhe ndonjë gol të rregullt, isha pak brenda apo pak jashtë, në thelb nuk ndryshon asgjë: Milani kishte nevojë për një ndeshje të bukur, kjo ishte e rëndësishme". Në fund e mbyll: "Sot kam shënuar 41 gola me bluzën e Milanit dhe jam i pari në historinë e këtij klubi, i cili ka pasur lojtarë si Van Basten, Ueah e Shevçenko. Unë argëtohem shumë dhe dita kur nuk do të luaj më do të jetë e vështirë".
"Ishte një natë e jashtëzakonshme dhe mbrëmje të tilla në moshën që kam unë janë të rralla"
"Ishte një natë e jashtëzakonshme dhe mbrëmje të tilla në moshën që kam unë janë të rralla"