Tërmete në Zharrëz, banorët protestë ndaj Bankersit

Pus nafte në fshatin Zharrëz
Shpërthimet e naftës shkaktojnë sërish lëkundje të tokës në komunën Zharrëz të rrethit të Fierit. Banorët e kësaj zone protestuan dje dhe kërkuan marrjen e masave.
Ata dolën në sheshin e fshatit përpara komunës dhe akuzuan kompaninë e naftës Bankers Petroluem, e cila sipas tyre bën shpërthime të nëntokës për të nxjerrë sasi të mëdha nafte. Shpërthimet për nxjerrjen e sasive më të mëdha të naftës na rrezikojnë seriozisht jetën. Po përsëritet e njëjta situatë. Ka nisur që prej vitit 2008 kjo situatë dhe po vazhdon edhe tani. Lëvizjet nuk janë të vazhdueshme, por toka dridhet disa herë, ditën e natën. Nuk flemë dot nga frika. Shtëpitë kanë kohë që na janë plasaritur në mure e çati, u shprehën banorët në protestën e djeshme. Sipas tyre, për shkak të lëkundjeve të forta kanë probleme rreth 100 familje. Protesta për lëkundjet e herëpashershme të tokës u mbështet edhe nga kryetari i komunës së Zharrëzës, Taulant Grëmi. Ai deklaroi se po bën të pamundurën për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë problematikë që po shqetëson banorët.
Po bëj përpjekje maksimale për të gjetur zgjidhje. Kam pasur debat, përplasje dhe shumë takime me përfaqësuesit e kompanisë Bankers. Ata më kanë thënë që nuk kanë lidhje me asnjë shpërthim. Unë do të vazhdoj të kërkoj të vërtetën, pasi deri tani argumenti i kësaj kompanie ka të bëjë me ndonjë lëkundje si pasojë e ndonjë procesi të panjohur, madje dhe nga specialistët e saj, u shpreh Gremi. Ai pohoi se ka përpiluar një sërë dokumentacionesh lidhur me rastin. Për protestën e djeshme nuk ka pasur reagim nga kompania Bankers. Por, herë pas here, kompania në fjalë ka mohuar të ketë lidhje me lëkundjet e tokës. Sipas saj, shfrytëzimi i puseve nuk sjell asnjëherë lëkundje.

Banorët e fshatit në protestë
Gjatë një proteste të muajit nëntor të vitit 2009, në fshatin Kuqar, zonë e përfshirë nga këto lëkundje, banorët u shprehën se kishin qenë punonjës të kompanisë së naftës dhe deklaruan se kishin dëgjuar zhurma nga fundi i puseve. Ishin gjashtë punëtorë që po injektonin ujë me solucion brenda në pus dhe deklaruan vetë që ky proces dha një tronditje shumë të fuqishme dhe se u larguan me vrap nga frika, pasi depot e ndodhura aty pranë kanë lëvizur nga vendi. Çfarë të kërkojmë më? Ky është rasti më flagrant, u shprehën banorët. Sipas tyre është pikërisht injektimi i ujit në puset e naftës dhe shfrytëzimi pa kriter i nëntokës, që shkaktojnë tronditje, duke e kthyer atë në zonë sizmike. Ndërkohë në shpërthimet e viteve më parë u deklarua se ishin tërmetet ato që sollën dëmtimet në banesat e banorëve. Zonat Zharrëz e Kuqar kanë qenë më të prekura nga këto tërmete.
FIER/ MAJLINDA RAMA