Lakrori: Zgjedhjet e parakohshme, vetëm duke qenë në Kuvend
Kandidati për kreun e Partisë Socialiste, Maqo Lakrori, deklaron se arritja e zgjedhjeve të parakohshme arrihet vetëm duke qenë deputetët socialistë në Kuvend. Ndryshe nga kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, Lakrori shprehet se duhet një program i qartë, një referendum për ndryshimin e Kushtetutës dhe sipas tij, kjo mbështetet tek numrat e shumtë të opozitës socialiste në Kuvend. “Drejtimi është për të ecur me një program të qartë, shumëplanësh, edhe për rishikimin e ndryshimeve që i janë bërë Kushtetutës vitin e kaluar, eventualisht edhe ndryshimeve të tjera, duke kaluar në një referendum popullor. Ne i kemi numrat e domosdoshëm të votave në Parlament, për ta realizuar këtë referendum”, - tha Lakrori para bazës socialiste të Shkodrës. Sipas tij, “duhet një veprim që duhet menduar shumë mirë, duhen parashikuar të gjitha situatat e mundshme. Sot duke vepruar në drejtimet që përmenda, do të kemi mundësi t’i realizojmë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i fitojmë ato. Meqë bëhet fjalë për zgjedhje, kemi përpara zgjedhjet e 2011 të pushtetit vendor, në të cilat na duhet të ruajmë epërsinë që kemi tani”.