E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti në Japoni ul importet dhe eksportet me SHBA

Japonia është partneri i katërt më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara dhe shkëmbimet tregtare u rritën gjatë dy muajve të parë të këtij viti, para tërmetit dhe cunamit. Tani, dy nga portet më të mëdha amerikane kanë filluar të ndjejnë ndikimin e katastrofës mbi importet japoneze. Duhet kohë që artikujt elektronikë dhe pjesët e makinave të mbërrijnë në një port të Japonisë dhe pastaj, duhet deri në dy javë të kalojnë oqeanin për në Amerikë. Edhe eksportet e disa produkteve nga Shtetet e Bashkuara në Japoni janë ndërprerë.

Çdo ditë, anijet nga Azia arrijnë në portet e Los Anxhelosit dhe Long Beach. Këto dy porte, që ndodhen pranë njëri tjetrit në bregun perëndimor amerikan, janë më të ngarkuarit në Shtetet e Bashkuara. Dhe Japonia, është partnerja e dytë më e madhe tregtare e të dy porteve së bashku. “Japonia ka ndihmuar me të vërtetë në zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare gjatë 20-30 vjetëve të fundit dhe në rritjen e portit të Los Anxhelosit”.

Zëdhënësi Filip Senfild thotë se mallrat japoneze zënë 15 për qind të tregtisë së përgjithshme në portin e Los Anxhelosit. Shumica e importeve nga Japonia janë pjesë makinash dhe automjete.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›