E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me patentë shqiptare në BE

25/04/2011  Aktualisht e njohin vetëm shtete si Austria, Belgjika, Italia, Rumania dhe Bullgaria

Propozim për njohjen e lejeve të drejtimit në Ballkan, me vende si Kroaci, Maqedoni

Zgjerohen kufijtë e përdorimit të lejeve të drejtimit të lëshuara në Shqipëri. Pas liberalizimit të vizave, shqiptarët do të kenë shansin që të udhëtojnë vetëm me një pasaportë dhe me patentën e tyre në disa vende të Bashkimit Evropian, si Greqia, apo Itali ku kjo marrëveshje funksionon aktualisht. Madje, edhe me vendet e Ballkanit do të zbatohet e njëjta praktikë, pasi është hedhur ideja që me shtete si Maqedonia, Kroacia dhe Kosova të aplikohen marrëveshje për konvertimin e patentave shqiptare. Kjo pasi prej dy vitesh tashmë lejet e drejtimit të automjeteve që jepen në Shqipëri janë plotësisht sipas standardeve të BE-së. Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor bëjnë me dije se projekti është në fazën e konkretizimit të akteve që shumë shpejt do të marrin dritën jeshile.

Njohja e patentave

Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve ka dërguar për dhënie mendimi në Drejtorinë e Transportit Rrugor një projekt-draft sipas të cilit do të bëhet njohja e patentave shqiptare edhe me shtete fqinje të Ballkanit, si Kroacia, Maqedonia, apo Kosova. “Jemi në fazën e konsultimit për këto akt-marrëveshje. Kemi filluar tratativat që këtë proces ta shtrijmë me vendet e Ballkanit, si Kosovë Maqedoni Kroacinë, pasi është një projekt konkret për dhënie mendimi nga MPPT-ja për ekuivalentimin e këtyre lejeve të drejtimit”, - nënvizon Arben Pinari, kreu i DPSHTRR-së. Konvertimi i patentës shqiptare do të sjellë një çlirim të madh për drejtuesit e automjeteve pasi ajo është e vlefshme për një periudhë 10-vjeçare, ndërkohë që patenta ndërkombëtare duhet të rinovohet çdo vit. Në këtë mënyrë do të marrin fund ecejaket dhe koha që u duhet shtetasve shqiptarë për t’u pajisur me patentë ndërkombëtare për të qarkulluar, përveç kostove financiare.

Ku shkohet me patentë shqiptare

Patentat shqiptare janë njohur vetëm nga pesë shtete të Evropës. Më konkretisht, një shtetas shqiptar mund të udhëtojë me makinën personale duke përdorur lejen e drejtimit të automjetit të marrë nga autoritetet përkatëse të shtetit shqiptar, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, me shtete si Austria, Belgjika, Italia, Rumania dhe Bullgaria. Për të udhëtuar në shtete të tjera të Bashkimit Evropian apo edhe të Ballkanit duhet të pajisesh me një patentë ndërkombëtare, e cila ka afat përdorimi vetëm për një vit.

Italia dhe Greqia

Marrëveshja për konvertimin e lejeve të drejtimit me Italinë ka hyrë në fuqi prej 15 gushtit të vitit 2009, e cila është nënshkruar më 27 tetor 2008. Njohja e patentës shqiptare në Itali ka sjellë më shumë lirshmëri jo vetëm për shqiptarët që udhëtojnë për turizëm apo tregti në shtetin përtej Adriatikut, por edhe për emigrantët shqiptarë që jetojnë aty. Sipas marrëveshjes, dokumenti nuk tërhiqet nga zyrat e përfaqësive tona diplomatike në Itali siç është ndjekur si praktikë deri më tani, por drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil, njësoj si për qytetarët italianë. “Shpenzimet për konvertimin e lejes së drejtimit për ata që kanë leje drejtimi shqiptare janë të papërfillshme përkundrejt shpenzimeve për marrjen e lejes së drejtimit italiane”, - theksojnë ekspertët. Përfitues janë drejtpërdrejt emigrantët që jetojnë në Itali, të cilët sipas statistikave zyrtare të marra në shtetin fqinj janë më shumë se 450 mijë. Shumë prej tyre mund të jenë pajisur me lejen e drejtimit që shteti italian lëshon për emigrantët, por për ata që nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë një gjë të tillë ofrohet një mundësi e dytë. Ata që kanë pasur një leje drejtimi të marrë në shtetin shqiptar vite më parë thjesht mund të nxjerrin një patentë të re sipas kushteve të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit. Ndërkaq, pala shqiptare është në fazën e negociatave që një marrëveshje e tillë të arrihet edhe me Greqinë. Që prej vitit të kaluar po shihet mundësia për t’iu krijuar të njëjtat lehtësi edhe emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin helen.

Anëtarësimi

Njohja dhe konvertimi i lejes së drejtimit shqiptare me lejen e drejtimit italiane, duke ditur që Italia është vend anëtar i rëndësishëm i Bashkimit Evropian krijon mundësinë që të bëhet njohja dhe konvertimi i lejes së drejtimit me të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Sistemi me pikë

Qeveria ka miratuar strategjinë dhe planin e sigurisë rrugore, ku parashikohet edhe vendosja e një sistemi me heqje pikësh për përsëritjen e gabimeve në të ardhmen. Sipas strategjisë, këto janë disa masa për edukimin e drejtuesve të automjeteve të cilat do të zbatohen deri në 2015-ën. Në strategji theksohet fakti se të gjitha procedurat dhe materialet e trajnimit për studentët e autoshkollave duhet të rishihen nga pikëpamja e kërkesave të sigurisë rrugore dhe të përafrohen me ato të BE-së. Gjithashtu parashikohet vendosja e një sistemi me pikë penalizuese, i cili ka pasur sukses veçanërisht për arsyen se penalizon drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat në mënyrë të përsëritur duke ulur edhe mundësinë dhe shifrat e aksidenteve. Drejtuesi i mjetit që pajiset për herë të parë me leje drejtimi mjeti duhet t’i nënshtrohet një periudhe prove për të paktën dy vjet, me qëllim testimin e tij në lidhje me njohuritë e marra dhe me sjelljen përkatëse. Futja e sistemit kombëtar të pikëve penalizuese ka pasur shumë sukses në vende të ndryshme të Evropës. Në disa vende është arritur ulja e numrit të aksidenteve me anën e këtij sistemi. Ky sistem ka sukses veçanërisht për arsyen që penalizon pikërisht drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat në mënyrë të përsëritur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›