E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, krijohet Task- Forcë për mbylljen e minierave të rrezikshme



BULQIZE - Krijohet Task-Force për mbylljen e minierave pirate dhe të rrezikshme në Bulqizë. Mësohet se 20 efektivë të FNSH-së mbërritën dje nga Tirana, për të evituar aktivitetin e paligjshëm në minierat e kromit të këtij rrethi. Shtimi i forcave të policisë, sidomos me efektiva të FNSH-të, është bërë pas ankesave të shumta të pushtetit vendor dhe subjekteve të licencuara. Sipas burimeve të policisë, nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes për arrestimin e “të fortëve”, të cilët janë identifikuar si shkelës të ligjit. Në mbledhjen e zhvilluar dje nga përfaqësuesit e kësaj Task-Force ishin të pranishëm Prefekti i Dibrës, drejtori i Policisë së Qarkut Ilia Nase, drejtori i Repartit të Shpëtimit në Miniera, Arben Perhati, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kryetari i Bashkisë etj. Ata diskutuan për më shumë se dy orë për ndaljen e abuzimeve në minierat e këtij rrethi. Prefekti u ndal në bashkëpunimin e ngushtë që duhet të arrijnë institucionet e shtetit, për të parandaluar shfrytëzimin e paligjshëm të minierave. “Institucionet e ngarkuara me ligj duhet të japin kontributin e tyre për ndaljen e abuzimeve me kromin. Duhet të marrin fund mbivendosjet dhe lejet duhet të jepen konform ligjit. Nga Task-Forca është hartuar një plan i detajuar veprimi që pret të zbatohet në Bulqizë. Kemi të dhëna se disa subjekte nuk raportojnë fuqinë reale punëtore dhe nuk kanë mjetet mekanike që prezantojnë kur licencohen. Këto subjekte duhen kontrolluar me imtësi”, u shpreh prefekti Seiti. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës deklaroi nëpërmjet përfaqësuesve të saj se ka hartuar një plan veprimi për mbylljen e minierave të rrezikshme, edhe pse ato janë të licencuara. Shoqërisë “ACR” i është kërkuar të rrethojë e ndriçojë sipërfaqen e saj minerare dhe të parandalojë futjen e personave apo mjeteve në këtë hapësirë. E njëjta gjë u është kërkuar të gjithë subjekteve minerare. Ndërkohë është parashikuar që subjektet që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë apo nuk e kanë shfrytëzuar lejen e dhënë, të mbyllen. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›