Terminali i ri i Portit të Durrësit, në verën e 2010-s
Porti detar më i madh në vend, shumë shpejt do të ketë infrastrukturën më moderne të kohës, duke nisur nga kushtet brilante të pasagjerëve që udhëtojnë me tragete, përpunimi i mallrave dhe mjeteve e deri tek siguria maksimale. Duke folur për investimin e jashtëzakonshëm, drejtori i APD-së, ing. Eduart Ndreu, tha se “ky investim ka qenë surpriza e radhës së Kryeministrit, ndaj shoqërisë prestigjioze, e cila i kurseu buxhetit të shtetit plot 7 milionë euro, ishte njëkohësisht edhe mbajtja e një premtimi nga vetë zoti Berisha për modernizimin e kushteve portuale”. Duke folur për investimin, zoti Ndreu tha se “shifra fillestare e këtij investimi mendohej të ishte mbi 20 milionë euro, por “in extremis” shfaqen sllovenët dhe pas një maratone seancash fituesi i tenderit ndërkombëtar për këtë investim gjigant u shpall pala sllovene, e cila mori përsipër punimet me një kosto më të ulët se konkurrueset e tjera”. Drejtori Ekzekutiv, Ndreu, u shpreh se “zbatimi i punimeve nga “S.C.T d.d.” ka sjellë kursimin e 7 milionë eurove, kjo është transparenca e vërtetë me fondet publike dhe kështu kemi vepruar dhe do të veprojmë vazhdimisht me investime të tilla”. Në Portin e Durrësit po punohet me tre turne deri në përfundimin e punimeve. Rreth 15.2 milionë euro investime, 63 mijë metra katrorë betonim, 2000 pasagjerë dhe 2000 automjete të përpunuara njëkohësisht. Zoti Ndreu tha se “Kryeministri Berisha vazhdimisht ka shprehur interesimin e tij lidhur me ecurinë e investimit, duke kërkuar ritëm sa më të lartë pune nga zbatuesit të këtij investimi”. Sipas zotit Ndreu, “data 17 prilli 2010 është data e përfundimit të punimeve, ky port do të jetë fytyra evropiane e Shqipërisë, pasi ai do të ketë një kapacitet përpunues të krahasueshëm me atë të vendeve më të zhvilluara të kontinentit”. Ky financim u mundësua nga bashkëpunimi i ngushtë i qeverisë shqiptare me investitorët e fuqishëm, si Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për të mos penguar ecurinë e përpunimit të mallrave dhe të pasagjerëve që vijnë nga Italia, është ngritur një terminal i përkohshëm, ngjitur me kantierin që përfshin një sipërfaqe prej 63 mijë metrash katrorë. Kjo zgjidhje po mundëson ecjen paralele të ndërtimit të terminalit dhe të linjave që lidhin Durrësin me Ankonën dhe Barin.